Bosch: Presidenti i ri i Kosovës, mbase mund t’i falë të dënuarit nga Specialja
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Roberth Bosch, e ka cilësuar si skandaloz verdiktin që Gjykata Speciale e shqiptoi ndaj katërshës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krye me ish-presidentin, Hashim Thaçi.
Ai ka shfaqur habinë se si as trupi gjykues as prokurorët nuk i kanë marrë parasysh rrethanat e luftës në Kosovës, e as deklaratat e ekspertëve ndërkombëtar që ishin marrë me të, më shumë se një çerekshekulli më parë.
“Mendoj se është një vendim skandaloz. Por natyrisht është e qartë se gjyqtarët dhe prokurorët nuk i kanë dëgjuar ekspertët dhe atë që ekspertët u kanë thënë për strukturat e UÇK-së — se nuk kishte një strukturë të tillë. Këtë e kanë theksuar zoti Clark, zoti Hill, zoti Rubin dhe të gjithë ekspertët e tjerë, ekspertët e vërtetë. Edhe unë e kam theksuar këtë, por natyrisht ata nuk më dëgjojnë fare, sepse, siç e dini, unë në atë kohë isha personi kontaktues ndërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe asaj të Mbrojtjes. Dhe kjo është ajo që thoshin gjithmonë: UÇK-ja janë “çizmet në terren”, forcat në terren, por është shumë e vështirë të komunikosh me ta, sepse nuk ka strukturë. Pra, si mund t’i akuzoni Thaçin dhe Rexhepin për koordinim, kur nuk kishte koordinim? Dhe gjithashtu ajo që njerëzit nuk e kuptojnë dhe e harrojnë është se kjo ka ndodhur 26 vjet më parë. Në atë kohë nuk kishte telefona portativë, iPhone nuk ekzistonte. Duhej të komunikoje përmes telefonit satelitor.Dhe telefoni satelitor — e kam përdorur edhe vetë — shumë herë nuk funksiononte. Prandaj ishte shumë e vështirë të kishte çfarëdo koordinimi”, tha Bosch në një intervistë për KosovaPress.
Sipas diplomatit që disa herë ka pranuar të jetë penduar pse ishte në anën që kërkonte themelimin e Speciales, koha ka dëshmuar se e njëjta duhet pushuar së ekzistuari.
“Sipas meje, e gjithë kjo gjykatë nuk duhet të ekzistonte. E gjithë kjo erdhi për shkak të raportit të Martyt. Raporti i Martyt fliste për trafikim organesh. Nëse kjo do të kishte qenë e vërtetë, natyrisht do të kishte qenë e tmerrshme.
Dhe për këtë arsye të gjithë u shqetësuan dhe thanë: “Oh, është e tmerrshme, e tmerrshme, e tmerrshme.” Ata i besuan Martyt dhe thanë se kjo duhet të hetohet seriozisht. Dhe kështu nisi e gjithë kjo. Pasi gjyqtari Ëilliamson hetoi dhe rezultoi se kjo nuk ishte e vërtetë, se nuk kishte trafikim organesh, se ishin thjesht histori të sajuara, atëherë, natyrisht, duhej të ndaleshin. Duhej të ndaleshin. Nuk kishte më arsye për të vazhduar, sepse kjo ishte arsyeja e vërtetë.
Pra, e gjithë kjo gjykatë nuk duhet të ishte aty dhe nuk duhet të kishte ekzistuar”, shtoi ai.
Bosch që është i dëshpëruar me verdiktin e shkallës së parë, tash nuk pret lajm të mirë nga shkalla e dytë.
Veçse e befason përkatësia kombëtare e atyre që japin drejtësinë në këtë proces
“Po, nuk pres shumë nëse janë përsëri të njëjtët njerëz që duhet të shqyrtojnë punën e tyre… sepse pak a shumë janë të njëjtët. Për ndonjë arsye, të gjithë janë njerëz nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që kjo është një gjykatë e Kosovës e paguar nga evropianët, dhe ata janë të gjithë prokurorë dhe gjyqtarë amerikanë.
Nuk kuptoj asgjë. Nuk e kuptoj se si mund të ndodhin gjëra të tilla. Nuk e di”, theksoi Bosch.
Nga gjithë kjo situatë e krijuar me dënimet drakonike, Bosch e sheh një derë daljeje.
Dhe kjo përmes institucioneve të Kosovës.
“Por sidoqoftë, gjyqtari e nisi duke thënë se kjo ishte një gjykatë e Kosovës. Dhe atëherë mendova — ndoshta ajo që po them është e pakuptimtë — por nëse është një gjykatë e Kosovës, atëherë kur më në fund të keni një president, a nuk mundet presidenti t’i falë të gjithë? Në një shtet normal, presidenti ka kompetencë të falë persona të caktuar. Nëse kjo është vërtet një gjykatë e Kosovës dhe kur më në fund… kur LDK-ja dhe VV-ja më në fund të bëjnë një marrëveshje për ta zgjedhur presidentin, a nuk mundet ky president t’i falë ata? Thjesht po pyes, por do të ishte logjike. Nëse ata pretendojnë se janë një gjykatë e Kosovës, atëherë bien nën juridiksionin e Kosovës. Dhe kush është shefi në Kosovë? Nuk janë ata, është presidenti, apo jo? Gjithsesi, për ta përfunduar me një notë pozitive, ndoshta është një ide e mire”, tha ai.
E derisa kjo nuk ndodh, holandezi është i bindur se fituesja e vetme në këtë proces është Serbia.
“Kjo, natyrisht, është shumë negative për Kosovën. Shumë negative.Por përsëri, kjo është e mirë vetëm për serbët. Serbët janë shumë të lumtur. Dhe unë ende mendoj se e gjithë kjo gjë është shumë e çuditshme. Në raportin e Martyt madje thuhej se shumica e krimeve ishin kryer nga serbët. Atëherë si është e mundur që nuk ka një gjykatë speciale kundër serbëve? Ata nuk i kanë dënuar njerëzit e tyre. Ata janë ulur në qeveri. Një nga personat më kriminalë është në krye të forcave të armatosura dhe ata thjesht janë ulur atje duke qeshur”, përfundoi Bosch.