Çitaku: Nëse LVV-ja e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen, PDK është e gatshme t’i tërheqë lëndët nga Kushtetuesja
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Nëse LVV-ja e voton ndryshimin e Ligjit për Specialen, PDK është e gatshme t’i tërheqë lëndët nga Kushtetuesja

Aktuale September 21, 2026 - 20:43

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka deklaruar se PDK është e gatshme t’i tërheqë lëndët nga Gjykata Kushtetuese, nëse Lëvizja Vetëvendosje zotohet publikisht se do ta votojë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Sipas Çitakut, kusht është që Qeveria të marrë përsipër edhe mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe ta trajtojë procesin me, siç ka thënë ajo, përgjegjësinë e duhur shtetërore.

“Nëse LVV zotohet publikisht se do ta votojë Projektligjin e dorëzuar sot për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, do të marrë përsipër mbulimin e plotë të shpenzimeve të mbrojtjes dhe do ta trajtojë këtë proces me përgjegjësinë e duhur shtetërore, ne jemi të gatshëm t’i tërheqim lëndët nga Gjykata Kushtetuese qysh nesër”, ka deklaruar Çitaku.

Dënimet jo më shumë se 15 vjet dhe transferimi i rasteve në Kosovë - çka parasheh projektligji i PDK-së për Specialen?

Çfarë përmban konkretisht nisma e PDK-së?

Projektligji përcakton që Gjykata Speciale mund të merret vetëm me pretendimet specifike që rrjedhin nga Raporti i Këshillit të Evropës (Dok. 12462, viti 2011) — me fokus te pretendimet për trafikim organesh apo krime direkte lidhur me to. Ajo zhvishet nga e drejta për të gjykuar krime të përgjithshme lufte apo krime kundër njerëzimit.

Fushëveprimi kohor i veprave që mund të trajtohen në Hagë kufizohet ekskluzivisht për periudhën 1 korrik 1999 deri më 31 dhjetor 2000.

Propozohet që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara të mos i kalojë 15 vjet burgim, duke aplikuar parimin ligjor të normës më të favorshme.

Të dënuarit gjithashtu parashihet t’i vuajnë dënimet në institucionet e veta korrektuese në Kosovë dhe t'u njihet e drejta e faljes nga Presidenti i Kosovës.

Për të gjitha akuzat ose rastet që nuk i mbulojnë specifikat e reja, gjykata duhet të shpallë moskompetencë brenda afateve të përshpejtuara (15–30 ditë) dhe t’i transferojë dosjet, provat dhe të ndaluarit te Departamenti Special dhe Prokuroria Speciale e Kosovës.

Vlerësimi i kushtetutshmërisë së ligjeve në nivel abstrakt i hiqet Dhomës së Specializuar Kushtetuese në Hagë dhe i kthehet ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë.

Kuvendi merr të drejtën të autorizojë organizata ndërkombëtare të specializuara për të mbikëqyrur punën e Speciales nga pikëpamja e të drejtave të njeriut dhe gjykimit të drejtë.

Sipas nenit 26, rastet që tani janë aktivisht në gjykim do të vazhdojnë sipas rregullave ekzistuese derisa Paneli i Gjykatës së Apelit në Hagë të nxjerrë aktgjykimin.

Sidoqoftë, pas kësaj faze, çfarëdo mjeti tjetër juridik apo ankesë e mëtejshme do t'i kalojë automatikisht Gjykatës Supreme të Kosovës.