Mbyllet Konsullata e Përgjithshme në Strugë, shërbimet konsullore përqendrohen në Ambasadën e Kosovës në Shkup
Foto: Laura Hasani

Mbyllet Konsullata e Përgjithshme në Strugë, shërbimet konsullore përqendrohen në Ambasadën e Kosovës në Shkup

Aktuale September 22, 2026 - 09:53

Kosova ka mbyllur Konsullatën e Përgjithshme në Strugë dhe është vendosur që shërbimet konsullore të përqendrohen në Ambasadën e Kosovës në Shkup.

Kështu u bë e ditur përmes një njoftimi të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut.

“Në bazë të Dekretit Nr.150/2025 të Presidentes së Republikës së Kosovës dhe në zbatim të Vendimit përcjellës Nr.Ref 261/2026 të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, njoftojmë se është mbyllur Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Strugë, Republika e Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Vendimi për mbyllje, sipas njoftimit, vjen për shkak të vlerësimit të dinamikës së këtij misioni.

“Vendimi bazohet në vlerësimin e dinamikës së këtij misioni konsullor dhe është në funksion të optimizmit të resurseve, në përputhje me qëllimet dhe nevojat e gjithëmbarshme institucionale. Në Strugë do të vijoj prezenca me zyre e Konsullit të Nderit të Republikës së Kosovës, i ngarkuar me rreth konsullor pikërisht në këtë qytet”, bëhet e ditur më tej në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Ambasada e Kosovës në Shkup, krahas detyrave diplomatike, do të vijojë ofrimin e shërbimeve konsullore për shtetasit e Kosovës në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.