Lugina e Preshevës llogarit tek Erdogani për të drejtat e tyre, Sinani: U dëgjua drejtpërdrejt zëri i shqiptarëve
Foto: Facebook

Lugina e Preshevës llogarit tek Erdogani për të drejtat e tyre, Sinani: U dëgjua drejtpërdrejt zëri i shqiptarëve

Aktuale September 22, 2026 - 11:55

Kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka qenë pjesë e delegacionit të kryeministrit Albin Kurti gjatë takimit që ai zhvilloi me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York.

Sinani, duke falënderuar Kurtin që “po e mban Luginën e Preshevës në vëmendjen e tij dhe po i jep zë shqetësimeve dhe kërkesave tona”, tha se në këtë takim u dëgjua nga Erdogan edhe zëri i shqiptarëve të Luginës.

“Pjesëmarrja ime, si Kryetare e Komunës së Preshevës, në delegacionin e Kryeministrit Kurti gjatë takimit me Presidentin e Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, në New York, ishte një moment me rëndësi të veçantë për mua dhe për Preshevën. Ishte një mundësi që zëri i shqiptarëve të Luginës të dëgjohej drejtpërdrejt në një takim të këtij niveli”.

Ajo tha se bashkë me Kurtin kanë ngritur çështjet që prekin “drejtpërdrejt jetën dhe të ardhmen e shqiptarëve” në Luginën e Preshevës: pasivizimin e adresave, mosnjohjen e diplomave, nënpërfaqësimin në institucionet publike dhe nevojën për trajtim të barabartë dhe respektim të të drejtave të shqiptarëve.

“Presidentit Erdogan i përcolla gjithashtu nevojën që Turqia të jetë edhe më pranë Preshevës përmes investimeve konkrete në ekonomi, infrastrukturë dhe zhvillim. Në veçanti, kërkova mbështetje për ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë sonë, si pjesë e historisë dhe kujtesës së kësaj treve. E falënderoj Presidentin Erdogan për pritjen e ngrohtë, respektin e treguar dhe gatishmërinë për një angazhim edhe më të madh të Turqisë ndaj Luginës së Preshevës”.

Sinani tha se këto takime janë të rëndësishme për shqiptarët në Luginë edhe për mundësinë e investimeve.

“Për ne, këto takime nuk janë vetëm çështje protokolli apo diplomacie. Janë mundësi për të krijuar ura bashkëpunimi, për të sjellë investime dhe për të hapur perspektiva të reja për qytetarët tanë. Presheva ka nevojë për miq që e njohin realitetin e saj dhe për partnerë që e shndërrojnë mbështetjen në punë konkrete. Dhe unë do të vazhdoj ta ngre zërin e Preshevës kudo ku më jepet mundësia”.