Kallas: Normalizimi Kosovë - Serbi dhe rruga drejt BE-së duhet të ecin paralelisht
Foto: Facebook

Kallas: Normalizimi Kosovë - Serbi dhe rruga drejt BE-së duhet të ecin paralelisht

Aktuale September 23, 2026 - 09:22

Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara në New York me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Pas takimeve, Kallasi ka theksuar nevojën për avancimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas saj, përparimi në normalizimin e marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me përparimin e Kosovës dhe Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Kallasi ka vënë theks të veçantë edhe te zbatimi i marrëveshjeve të arritura përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, duke përfshirë Marrëveshjen e Ohrit.

Ajo ka nënvizuar se zbatimi i këtyre marrëveshjeve nuk duhet të shihet si një favor ndaj Brukselit, por si një detyrim ndaj qytetarëve dhe ndaj rajonit, i cili, sipas saj, pret marrëdhënie normale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të ecin krah për krah. Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë detyruese. Zbatimi i tyre nuk është një favor ndaj Brukselit, por një detyrim ndaj qytetarëve të tyre dhe ndaj një rajoni që pret marrëdhënie normale”, shkroi Kallasi në X.

Kallasi theksoi se BE-ja do të vazhdojë të jetë një ndërmjetës i paanshëm. Por lehtësimi i dialogut nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik në Kosovë dhe Serbi.

Takimet e Kallasit me Kurtin dhe Vuçiqin janë zhvilluar në margjinat e punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, ku çështja e dialogut Kosovë - Serbi mbetet pjesë e agjendës së diplomacisë evropiane.