Kurti pas takimit me Karen Piercen: I shpreha shqetësimin për dënimet e padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Sipas Kurtit, gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, situatën e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.
Kurti tha se e ka falënderuar Piercen për qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar kundër, siç u shpreh ai, glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës, ndërsa vlerësoi mbështetjen britanike për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Një pjesë e diskutimit, sipas kryeministrit, i është kushtuar edhe proceseve gjyqësore ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara.
“Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara”, ka shkruar Kurti, duke shtuar se procesi nuk ka përfunduar dhe se pret që në apel të adresohen ato që ai i cilëson si padrejtësi dhe mangësi të aktgjykimit.
Në takim është diskutuar edhe për procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik të Kosovës.
Kurti përmendi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, statusin e vendit kandidat për Bashkimin Evropian, si dhe thellimin e bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
“Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike”, deklaroi Kurti.
Në fund të takimit, kryeministri ka uruar paraprakisht Dame Karen Piercen për ditëlindjen e saj, e cila festohet nesër, duke i dhuruar edhe një kujtim nga Republika e Kosovës.