Shtesat për fëmijë, reagon Hoti: Ndryshimi i numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë nuk nënkupton keqpërdorim
Foto: Laura Hasani

Shtesat për fëmijë, reagon Hoti: Ndryshimi i numrit të përfituesve të shtesave për fëmijë nuk nënkupton keqpërdorim

Aktuale September 23, 2026 - 16:00

Ministri i Ministrisë për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar lidhur me raportimet dhe kritikat për numrin e përfituesve të Programit të Shtesave për Fëmijë.

Hoti ka shprehur keqardhje për, siç ka thënë, “tendencën kaq të ulët” të individëve dhe mediave të caktuara për ta sulmuar Qeverinë lidhur me këtë program.

“Ua rikujtoj se Shtesat për Fëmijë janë realizuar pikërisht nga kjo Qeveri, prandaj është e papranueshme që, pa asnjë fakt, pa asnjë argument dhe pa i kushtuar as dy minuta leximit të legjislacionit në fuqi, të fabrikohen pretendime të paqena dhe të tentohet të ndërtohet një skandal aty ku institucionet thjesht po zbatojnë ligjin”, ka deklaruar Hoti, transmeton Zeri.info. 

Sipas tij, numri i përfituesve të shtesave për fëmijë është dinamik dhe ndryshon vazhdimisht, si pasojë e zbatimit të kritereve të përcaktuara dhe përditësimit të të dhënave.

Hoti ka përmendur si faktorë ndryshimin e numrit të fëmijëve të përfshirë në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë dhe proceset e rregullta të verifikimit.

Ai ka sqaruar se, në rastet kur nevojiten verifikime shtesë, pagesa mund të suspendohet deri në përfundimin e procedurave.

“Suspendimi gjatë procesit të verifikimit nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi apo konstatim të keqpërdorimit”, ka thënë ministri.

Sipas Hotit, vendimet për vazhdimin apo ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të palëve.

Ai ka theksuar se ndryshimi i numrit të përfituesve nga një muaj në tjetrin nuk mund të konsiderohet automatikisht si numër i personave që kanë keqpërdorur programin apo si dëm financiar.

“Çdo rast trajtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa aty ku eventualisht konstatohet përfitim i pabazuar, veprohet në përputhje me legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Hoti.

Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare do të vazhdojë administrimin dhe verifikimin e rregullt të programit, me qëllim që mbështetja të vazhdojë t’u ofrohet të gjithë fëmijëve që plotësojnë kriteret e përcaktuara./Zëri