Populli kundër Speciales, më 25 shtator në të gjitha komunat
Foto: Laura Hasani

Populli kundër Speciales, më 25 shtator në të gjitha komunat

Aktuale September 23, 2026 - 19:20

Ka kaluar një javë që nga shpallja e vendimit dënues nga Gjykata Speciale në Hagë për ish- krerët e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës.

Por “Jo në emrin tim”, është slogani i protestave që po mbahen tash e disa ditë në kryeqytet.

Një të tillë së fundmi e ka thirrur edhe vet Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, por kësaj radhe protestohet më ndryshe.

Sipas OVL UÇK-së të premten e 25 shtatorit me fillim nga ora 17:00, protestohet kundër vendimit të Speciales në të gjitha qytetet e Kosovës.

“Qëllimi është që në këtë protesta t’i ofrohet mundësia secilit të shprehë vullnetin e tij dhe mospajtim e tij në lidhje me një proces gjyqësorë e me një vendim që është në kundërshtim me vlerat e luftës së UÇK-së dhe janë atakuar ato vlera. Prandaj, qëllimi është që të gjithë qytetarët kudo që ndodhën, pa dallim bindjeve politike, pa dallim moshe të shprehën në të gjithë Kosovën”, shprehet Fatmir Sopi, nënkryetar i OVL-UÇK-së.

Thirrjes për protestë i janë bashkuar edhe prizrenesait, të cilët thonë se janë optimist se protesta do të ketë efektin e vet.

“Protesta është për të shfaqur një pakënaqësi mbarë popullore, pra nuk pajtohet populli me këtë verdiktë që e ka dhënë Gjykata e Hagës. Është një manifestim për një padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së. Besoj që edhe bashkësia ndërkombëtare dhe të tjerët do të marrin parasysh se kjo është një protestë gjithëpopullore dhe populli nuk pajtohet me verdiktin që e ka dhënë Gjykata Speciale. Shpresoj dhe besoj që edhe kjo të ketë ndikimin e vet”, thotë Isa Berisha nga OVL-UÇK në Prizren.

Përveç protestave, nga Malisheva është kërkuar bashkimi i spektrit politik dhe reagimi i institucioneve të Kosovës.

“Kjo është ajo mungesa dhe unifikimi politikë sepse populli tash ka dal në protestë, kanë dal studentët, atë që e ndezën zërin e lirisë për këtë vend. Andaj unë edhe iu bëjë thirrje spektrit politikë që të ulen e të bisedojnë, të e bëjnë një ekip të unifikuar sepse populli është duke i thirr, nuk është këtu një shoqatë, as organizata e veteranëve, është populli në këmbë me studentët që çdoherë kanë lëvizur vendin në drejtim të lirisë”, Metush Kryeziu- nga OVL-UÇK në Malishevë.

Drejtësi për  Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasnqin dhe Rexhep Selimin po kërkohet edhe nga Prishtina tash e shtatë ditë, protestë kjo që do të mbahet edhe sonte, por edhe në netët në vazhdim, duke nis nga ora 21:00. /tëvë1