Tre vjet nga vrasja e Afrim Bunjakut, Kurti: Kosova ka ngadhënjyer mbi agresionin
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përkujtuar rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në trevjetorin e vrasjes së tij në sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit.
“Në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit 2023, në fshatin Banjskë të Zveçanit ra në krye të detyrës për sundim të ligjit, në mbrojtje të sovranitetit shtetëror dhe tërësisë territoriale të Republikës sonë, rreshteri i Policisë, tash hero i Kosovës, Afrim Bunjaku”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Duke folur për sulmin, Kurti ka deklaruar se grupi që e ka cilësuar si terrorist dhe paraushtarak ishte “i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi”, ndërsa ka thënë se në krye të tij ishte Milan Radoiçiq.
“Grupi terrorist paraushtarak i organizuar, dirigjuar dhe financuar nga Beogradi, së cilit i printe kryekrimineli Millan Radoiçiq, dështoi në sulmin tinzar që kishte për qëllim konflikt të armatosur e gjakderdhje në manastir ortodoks të shekullit XIV, dhe mandej aneksimin e veriut të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Kurti ka vlerësuar se sulmi ishte parandaluar falë veprimeve të institucioneve të Kosovës.
“Kjo falë vendosmërisë dhe profesionalizmit të zyrtarëve tanë në rendit e të inteligjencës, politikë e publikë, në mbrojtje të Republikës, të paqes, të drejtave dhe sigurisë për të gjithë”, ka shkruar ai.
Kryeministri ka përmendur edhe ndjekjen penale të personave të përfshirë në sulm, duke thënë se Kosova nuk do të heqë dorë nga kërkimi i tyre.
“Shteti ynë asnjëherë nuk do të heqë dorë në kërkim të tyre derisa të gjithë të kenë marrë gjykimin e drejtësisë dhe dënimin e merituar”, ka thënë Kurti.
Në fund, ai ka përkujtuar Bunjakun me një mesazh: “Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit, heroit Afrim Bunjakut!”