Gërvalla: Mbi 40.6 milionë euro janë paguar për mbrojtjen dhe obligimet e lidhura me Hagën
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka folur për financimin e ekipeve mbrojtëse dhe mbështetjen financiare që Republika e Kosovës ka ofruar në kuadër të mekanizmit të përcaktuar me ligj për ish-krerët e UÇK-së në Hagë.
Gërvalla ka thënë se ndarja e fondeve nuk është vendim i ministrit apo i ndonjë zyrtari të Ministrisë së Drejtësisë, por bëhet në bazë të obligimeve që institucionet e Kosovës kanë marrë përmes miratimit të ndryshimeve kushtetuese dhe ligjit përkatës.
“Shikoni, sa i përket fondeve ne kemi një bazë të qartë ligjore. Me qëllim sot, sepse kam menduar që do të jetë me interes për publikun, unë kam marrë me vete një tabelë e cila e tregon qartë se si ka qenë deri tash menaxhimi. Gjithçka e bazuar në ligj. Nuk është vendim ministri, askund nuk është vendim i ndonjë zyrtari të kësaj ministrie se sa fonde ndahen. Është një zotim që Republika e Kosovës, institucionet e saj e kanë bërë në kuadër të miratimit të atëhershëm, ndryshimeve kushtetuese dhe miratimit të ligjit”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka bërë të ditur se deri në shtator të vitit 2026, nga buxheti i Kosovës janë paguar mbi 40 milionë euro për mbrojtjen dhe obligimet e tjera që lidhen me këtë mekanizëm.
“Kështu që dua të ndaj me ju faktin që deri në shtator 2026, nga buxheti i Republikës së Kosovës janë paguar gjithsejt 40 milionë e 611 mijë e 855 euro për mbrojtjen dhe obligimet e tjera që lidhen me zbatimin e këtij mekanizmi. Nga kjo shumë, 39 milionë e 787 mijë euro e diçka janë shpenzuar për mbrojtjen juridike. Ndërsa vetëm për katër personat e akuzuar sipas vendimit të gjykatës së shkallës së parë të datës 16.09.2026, shuma totale e paguar është 28 milionë e 470 mijë”, ka thënë ministrja.
Sipas saj, aktualisht Ministria e Drejtësisë nuk ka detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi.
“Sa i përket detyrimeve të papaguara, aktualisht nuk kemi si Ministri e Drejtësisë detyrime të papaguara ndaj avokatëve apo përfituesve të tjerë në kuadër të këtij programi. Për vitin 2026, buxheti i ndarë për këto shpenzime është 8 milionë e 50 mijë. Deri në periudhën për të cilën janë raportuar të dhënat, janë shpenzuar 4 milionë e diçka”, ka deklaruar Gërvalla.
Ministrja ka theksuar se mbështetja financiare e ofruar nga institucionet e Kosovës është bërë përmes një mekanizmi të përcaktuar me ligj dhe akte nënligjore, duke përfshirë edhe procedura të veçanta për mbulimin e mbrojtjes juridike dhe shpenzimeve të tjera të lejuara.
“Në tërësi të dhënat financiare tregojnë se mbështetja e ofruar nga Republika e Kosovës është realizuar përmes një mekanizmi të përcaktuar me ligj dhe akte nënligjore, me procedura të veçanta për mbulimin e mbrojtjes juridike, shpenzimeve të familjarëve dhe kategorive të tjera të lejuara të shpenzimeve. Ministria e Drejtësisë i… e administron këto mjete dhe pagesa në përputhje me bazën ligjore dhe procedurat përkatëse dhe në asnjë moment nuk kam parë tendencë as para se të vija në këtë ministri e as sot që e drejtoj këtë ministri, që mjetet financiare të jenë sfida për të cilën do të mund të mos vendosej drejtësia”, ka thënë ajo.
Gërvalla është pyetur edhe për qëndrimin e saj lidhur me vendimin e gjykatës, por ka thënë se nuk mund të japë një vlerësim në cilësinë e ministres së Drejtësisë, pasi aktgjykimin ende nuk e ka lexuar dhe çështja është në proces të ankesës.
“Edhe nga ajo. Prandaj ju siguroj që me bashkëpunim, me një bashkërendim të hapave që ndërmarrim, unë nuk… si Ministre e Drejtësisë nuk më takon të jap cilësime për një vendim i cili… të cilin ende as aktgjykimin nuk e kam lexuar, por mbi të gjitha i cili është në procesin e ankesës. Duhet ta ruajmë seriozitetin institucional. Cilësime unë mund të jap si njeri privat, por nuk më takon si Ministre e Drejtësisë”, është shprehur Gërvalla.
Ajo ka thënë se në cilësinë e ministres i takon të ruajë rolin institucional dhe të mundësojë që drejtësia ta japë fjalën e saj në Dhomat e Specializuara.
“Si Ministre e Drejtësisë më takon të luaj rolin tim institucional me qëllim që drejtësia ta thotë fjalën e vet edhe në Dhomat e Specializuara. Prandaj ju kërkoj mirëkuptim, por tash veç që të dal mirë para juve, unë nuk mund ta shkel obligimin tim institucional që kam”, ka shtuar ministrja. /eo