Forca strategjike rezervë e KFOR-it, ushtarët britanikë mbërrijnë në Kosovë

Forca strategjike rezervë e KFOR-it, ushtarët britanikë mbërrijnë në Kosovë

Aktuale September 28, 2026 - 16:18

Personeli, pajisjet dhe automjetet e Batalionit të Parë të regjimentit britanik “The Rifles” kanë mbërritur në Kosovë, në kuadër të një dislokimi të planifikuar dhe rutinë, si pjesë e Forcës Rezervë Strategjike të KFOR-it.

Lajmi është bërë i ditur nga Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili ka sqaruar se trupat britanike do të qëndrojnë për rreth gjashtë javë dhe gjatë kësaj periudhe do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh stërvitore.

Sipas KFOR-it, dislokimi është pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin paqeruajtës të udhëhequr nga NATO në Kosovë.

“Gjatë gjashtë javëve të ardhshme, ata do të zhvillojnë disa aktivitete stërvitore, si pjesë e kontributit afatgjatë të Mbretërisë së Bashkuar në misionin e KFOR-it të udhëhequr nga NATO”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.

KFOR ka theksuar se ardhja e këtij batalioni britanik nuk përfaqëson ndonjë ndryshim në mandatin e misionit në Kosovë.

“Dislokimi i këtij batalioni nga Mbretëria e Bashkuar nuk përfaqëson ndryshim të mandatit të KFOR-it dhe nuk është pjesë e procesit të nisur për optimizimin e qëndrimit të KFOR-it, për të siguruar që misioni ynë të mbetet i përshtatshëm për qëllimin e tij”, thuhet më tej në njoftim.

Sipas misionit të NATO-s, KFOR-i vazhdon të ketë si detyrë kontributin në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe garantimin e lirisë së lëvizjes.

KFOR-i vepron në bazë të mandatit të tij afatgjatë të Kombeve të Bashkuara, të përcaktuar përmes Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të miratuar në vitin 1999.

Misioni thekson se vepron në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX-in.

“Ne vazhdojmë të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, si dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes”, thekson KFOR-i.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës dhe EULEX-i vazhdojnë të veprojnë në kuadër të roleve dhe përgjegjësive të tyre përkatëse si aktorë të reagimit në fushën e sigurisë.

Dislokimi i trupave britanike vjen në kuadër të angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar në KFOR dhe, sipas misionit të NATO-s, është pjesë e një vendosjeje të planifikuar, pa ndryshuar mandatin apo natyrën e misionit në Kosovë.