Postimi për vendimin e Hagës, Krasniqi i bën thirrje ambasadorit britanik: Verifikoni faktet!
Foto: Laura Hasani

Postimi për vendimin e Hagës, Krasniqi i bën thirrje ambasadorit britanik: Verifikoni faktet!

Aktuale September 29, 2026 - 20:49

Altin Krasniqi i ka replikuar ambasadorit britanik, Jonathan Hargreaves, i cili orë më parë bëri një postim duke thënë se krerët e UÇK-së janë dënuar për krime individuale.

Në një koment, Krasniqi i rekomandoi Hargreaves-it që të verifikojë më shumë faktet, përpara se të bëheshin deklarata të tilla publike.

“Si mund të flitet për përgjegjësi individuale kur, siç tregon përmbledhja e vendimit, të akuzuarit nuk u gjetën përgjegjës për veprime individuale siç pretendohej, por u dënuan për shkak të roleve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, ndihmoi në çlirimin e Kosovës?” pyeti Krasniqi.

Tutje, djali i Jakup Krasniqit, të cilin Haga e dënoi më 25 vjet burg, i bëri thirrje ambasadorit britanik qe t’i verifikojë faktet, pasi të tilla deklarata s’i bëjnë nder as atij, as Britanisë së Madhe.

Ky është komenti i plotë i Krasniqit:

“I nderuar Ambasador,

Do të vlerësohej shumë nëse faktet do të verifikoheshin me më shumë kujdes para se të bëheshin deklarata të tilla publike.

Si mund të flitet për përgjegjësi individuale kur, siç tregon përmbledhja e vendimit, të akuzuarit nuk u gjetën përgjegjës për veprime individuale siç pretendohej, por u dënuan për shkak të roleve të tyre si udhëheqës politikë të organizatës ushtarake e cila, në bashkëpunim me vendin tuaj, ndihmoi në çlirimin e Kosovës?

I njëjti vendim thekson se objektivi i të akuzuarve dhe i UÇK-së ishte pavarësia e Kosovës – një pavarësi që u arrit pikërisht me mbështetjen e vendit tuaj – dhe se dhuna u përdor kundër individëve që e kundërshtonin atë objektiv.

Ambasador, ju bëj thirrje me respekt që t’i verifikoni faktet para se të bëni deklarata të tilla publike. Deklaratat e kësaj natyre nuk i bëjnë nder as jush dhe as vendit që përfaqësoni, të cilit populli i Kosovës i mbetet thellësisht mirënjohës për mbështetjen e dhënë”, tha ai.