Çitaku: Për ligjet e tjera procedura të përshpejtuara e për mbrojtjen e UÇK-së zvarritje, dita e llogaridhënies do të vijë
Foto: Laura Hasani

Çitaku: Për ligjet e tjera procedura të përshpejtuara e për mbrojtjen e UÇK-së zvarritje, dita e llogaridhënies do të vijë

Aktuale September 30, 2026 - 09:05

Deputetja dhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar përshpejtimin e shqyrtimit të projektligjeve të Qeverisë, ndërsa ka kërkuar procedimin e menjëhershëm në Kuvend të projektligjit për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Në një postim në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Çitaku ka thënë se shumë prej projektligjeve që po shqyrtohen me procedura të përshpejtuara lidhen me sektorin e drejtësisë dhe, sipas saj, po kalojnë pa analizën e duhur, pa debat substancial dhe pa dëgjime publike.

“Drejtësia nuk reformohet duke shmangur shqyrtimin parlamentar. Ky nxitim ngre dyshime serioze se ligjet po i përshtaten agjendës politike të pushtetit”, shkroi ajo.

Çitaku ka kritikuar ministren e Drejtësisë për atë që e ka cilësuar mbajtje të projektligjit për Dhomat e Specializuara në sirtar, nën arsyetimin e “ekspertizës juridike”.

“Për ligjet e tjera, procedura të përshpejtuara. Për mbrojtjen e UÇK-së, zvarritje!”, ka theksuar ajo.

Duke iu drejtuar Gërvallës, Kurtit dhe zyrtarëve përgjegjës, Çitaku kërkoi që të mos e pengojnë projektligjin dhe ta procedojnë menjëherë në Kuvend. Ajo u ka bërë thirrje ta dëgjojnë popullin që, siç ka shkruar, prej 15 ditësh është në shesh.

“Çdo ditë vonesë vetëm sa ka për ta rënduar përgjegjësinë tuaj. Dhe më besoni: dita e llogaridhënies do të vijë!”, përfundoi Çitaku.