Qeveria nis procedurat për shpronësimin e pronave për autostradën Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë
Foto: Laura Hasani

Qeveria nis procedurat për shpronësimin e pronave për autostradën Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë

Aktuale September 30, 2026 - 11:34

Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme që preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i autostradës Prishtinë - Gjilan - Dheu i Bardhë”, në segmentin Banullë - Bresalc.

Gjatë mbledhjes së Qeverisë, kryeministri Albin Kurti tha se vendimi mundëson vazhdimin e procedurave për shpronësimin e pronave të nevojshme për realizimin e këtij segmenti.

“Autostrada Prishtinë - Gjilan dhe Dheu i Bardhë synon të përmirësojë lidhjen me rajonin e Gjilanit dhe me pikën kufitare të Dheut të Bardhë. Propozimi i sotëm lejon shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësimin e pronave në zonën kadastrale Banullë të Komunës së Lipjanit, të nevojshme për segmentin Banullë - Bresalc”, tha Kurti.

Zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Driton Hyseni, tha se vendimi mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave që preken nga projekti.

“Ky vendim e mundëson fillimin e procedurës së shpronësimit për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit ‘Ndërtimi i autostradës Prishtinë - Gjilan - Dheu i Bardhë’, në segmentin Banullë-Bresalc, pra të zonës kadastrale Banullë, Komuna e Lipjanit”, tha Hyseni.

Sipas tij, projekti pritet të ndikojë në përmirësimin e lidhjeve infrastrukturore, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe lehtësimin e qarkullimit ndërmjet rajoneve, si dhe të krijojë mundësi për zhvillim ekonomik.