Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Kuvendi i Prizrenit miraton deklaratë kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së

Aktuale October 01, 2026 - 11:52

Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka miratuar unanimisht deklaratën lidhur me aktgjykimin e 16 shtatorit ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, deklarata u miratua në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 1 tetor 2026, në prani të anëtarëve të Kuvendit, monitoruesve dhe përfaqësuesve të mediave.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh mospajtim të thellë me aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke theksuar se përgjegjësia penale është individuale dhe nuk duhet të interpretohet si përgjegjësi kolektive e UÇK-së dhe luftës së saj.

Kuvendi i Prizrenit gjithashtu ka shprehur solidaritet me Thaçin, Veselin, Krasniqin dhe Selimin, si dhe me familjet e tyre.

Në deklaratë u bëhet thirrje qytetarëve që, pavarësisht dhimbjes dhe emocioneve, të ruajnë qetësinë, dinjitetin dhe unitetin, duke i shprehur qëndrimet në mënyrë paqësore dhe institucionale.

Në fund, duke iu referuar formulimit “Në emër të popullit të Kosovës” gjatë shpalljes së aktgjykimit, Kuvendi i Komunës së Prizrenit ka përcjellë mesazhin: “Jo në emrin tim!”.