Sot seancë e jashtëzakonshme për projektligjin për Specialen
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme plenare, duke filluar nga ora 09:00. Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se në rendin e ditës janë 22 pika, ndër to ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara, marrëveshje financiare, zgjedhje në borde dhe institucione, si dhe projektligje nga fusha e drejtësisë, energjisë, inovacionit dhe buxhetit.
Pika e parë e rendit të ditës është shqyrtimi i ndryshimit dhe plotësimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në seancë do të shqyrtohet edhe ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë.
Në njoftimin e Kuvendit bëhet e ditur se do të shqyrtohen edhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA 2021 dhe IPA 2022, si dhe Marrëveshja Financiare për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027.
Në rendin e ditës janë edhe zgjedhja e dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, zgjedhja e kryesuesit të këtij bordi, zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës dhe përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe Projektligjin për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit, si dhe Projektligjin për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Në rend dite janë edhe ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Projektligji për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe Projektligji për Akademinë e Drejtësisë.
Po ashtu, do të shqyrtohen projektligjet për Energjinë, Energjinë Elektrike, Inovacionin dhe Ndërmarrësinë, pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026 dhe Projektligji për Menaxhimin e Resurseve Ujore.
Para seancës plenare, Komisioni për Legjislacion do të mblidhet në orën 08:00 për të shqyrtuar projektligjin. Këtë e ka konfirmuar kryetari i komisionit, Vigan Qorrolli.
Rendi i ditës:
1. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-001 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar,
2. Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-002 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë,
3. Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-014 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare në mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2021,
4. Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-015 për Ratifikimin e Amendamentit Nr. 1. të Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin IPA 2022,
5. Shqyrtimi i Projektligjit nr.11/L-016 për Ratifikimin e Marrëveshjes Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për Programin Shumëvjeçar IPA 2026-2027,
6. Zgjedhja e dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,
7. Zgjedhja e Kryesuesit të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë,
8. Zgjedhja e Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës,
9. Përzgjedhja e dy (2) anëtarëve joekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-006 për Byronë Shtetërore dhe Verifikimin e Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme,
11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit,
12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-007 për rekrutimin, vlerësimin e performancës, kontrollin e integritetit dhe statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-008 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr. 08/L-249,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-009 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-055 për Këshillin Gjyqësor të Kosovës,
15. Shqyrtimi në i parë i Projektligjit nr.11/L-010 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve,
16. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-011 për Akademinë e Drejtësisë,
17. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-003 për Energjinë,
18. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-004 për Energjinë Elektrike,
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-005 për Inovacion dhe Ndërmarrësi,
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-012 për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare,
210 Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 11/L-013 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 10/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026,
22. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.11/L-018 për Menaxhimin e Resurseve Ujore. /Zëri