Grabovci: Deputetët ta votojnë Ligjin për Specialen, kjo çështje ka të bëjë me interesin e shtetit të Kosovës
Adem Grabovci nga Partia Demokratike e Kosovës, ka bërë thirrje që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta votojnë në lexim të dytë Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e cilësuar këtë si një çështje vendimtare për shtetin e Kosovës.
Grabovci ka thënë se për deputetët nuk ka mbetur shumë për t’u diskutuar, pasi, sipas tij, rëndësia e çështjes është e qartë dhe tejkalon interesat individuale, grupore apo partiake.
“S’ka mbetë shumë çka të thuhet. Çdo gjë është e qartë. Ne jemi para një çështje tepër të rëndësishme. E them me përgjegjësi të plotë, aq sa e kuptoj unë, asnjëherë ky vend, ky popull nuk ka qenë, nuk ka pasur përpara sfida më të mëdha. Nuk ka qenë as lufta, as paslufta”, ka deklaruar Grabovci.
Ai ka thënë se pret nga deputetët që të tregojnë përgjegjësi dhe të përfaqësojnë vullnetin e qytetarëve që u kanë dhënë besimin.
“Prandaj unë shpresoj dhe besoj që deputetët janë të ndërgjegjshëm, do të dëshmojnë vërtet një qartësi të madhe, një besnikëri, një përfaqësim të atij vullneti të qytetarëve të Kosovës që u kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar dhe për t’i mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës, interesat e shtetit të Kosovës. Dhe kjo çështje që kemi përpara i tejkalon të gjithë kufijtë. Nuk ka të bëjë me individë, nuk ka të bëjë me grupe, nuk ka të bëjë me parti politike. Ka të bëjë me interesin e shtetit të Kosovës”, është shprehur ai.
Grabovci u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që ta votojnë ligjin dhe të vazhdohet me formimin e një ekipi mbrojtës, i cili, sipas tij, duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional.
“Prandaj unë u bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës ta votojnë këtë ligj dhe të vazhdojmë më tutje. Nuk ka asnjë çështje më të rëndësishme se sa kalimi i këtij ligji dhe formimi i atij ekipi mbrojtës që duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe duhet të jetë ndërministror. Pra të përfshihen institucionet tona, shoqëria civile nga të gjitha nivelet dhe të gjithë ekspertët e vendit në bashkëpunim me mbrojtjen dhe fuqizimin e mbrojtjes që të dalim fitimtarë në apele. Në të kundërtën, ne do të rrezikojmë ekzistencën tonë”, ka thënë Grabovci.
I pyetur për mospjesëmarrjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës në votim, Grabovci ka thënë se momenti kërkon tejkalimin e interesave partiake dhe vendosjen e interesit nacional mbi to.
“Unë po them prapë, nuk ka çështje më të rëndësishme. Është momenti vendimtar kur ne duhet t’i tejkalojmë vetveten, t’i tejkalojmë interesat partiake dhe të kalojmë në interesin tonë nacional, interesin më të madhor, mbrojtjen e shtetit të Kosovës, mbrojtjen e luftës së Kosovës, sepse nëse ne lejojmë që padrejtësisht të na e kriminalizojnë luftën tonë, atëherë përfundimi ynë do të jetë shumë i qartë. Dhe në të ardhmen të gjithë ata do të pendohen, por do të jetë vonë”, ka deklaruar ai.
Grabovci ka thënë se nuk do të lejohet, sipas tij, kthimi prapa dhe kriminalizimi i luftës së Kosovës.
“Por unë them me bindje të plotë se ne nuk do të lejojmë që të kthehemi prapa. Ne do të jemi këtu dhe do ta mbrojmë gjakun, mundin, sakrificën dhe lirinë që kemi fituar me shumë mund dhe shumë sakrifica. Dhe nuk ka askush, asnjë forcë që mund ta pengojë këtë dhe ta kriminalizojë këtë”, është shprehur Grabovci.
Ndërkaq, i pyetur nëse është për leximin e dytë dhe çfarë do të ndodhë nëse ligji nuk kalon, Grabovci ka thënë se nuk dëshiron ta marrë fare në konsideratë një mundësi të tillë.
“Unë s’dua fare të mendoj se nuk do të kalojë në lexim të dytë. Besoj prapë, po u bëj thirrje, po më detyron edhe njëherë ta përsëris, t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës: le të tejkalojnë vetveten, t’i kalojnë interesat partiake, grupore, qofshin ato edhe individuale, dhe të mendojnë për të sotmen, të ardhmen, të paktën të fëmijëve të tyre, të familjeve të tyre dhe për lirinë e Kosovës”, ka shtuar ai. /EO