PDK: Qeveria të ndalë dhunën ndaj protestuesve dhe ta miratojë ligjin për mbrojtjen e UÇK-së
Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas tensioneve dhe përdorimit të forcës ndaj qytetarëve që po protestojnë për miratimin e ligjit për mbrojtjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në një reagim, PDK-ja ka dënuar atë që e ka cilësuar si përdorim të dhunës ndaj protestuesve dhe ka kërkuar nga institucionet shtetërore ndaljen e menjëhershme të çdo veprimi që, sipas saj, cenon të drejtën kushtetuese për protestë.
PDK-ja ka deklaruar se lufta e UÇK-së është pjesë e pandashme e historisë dhe identitetit të Kosovës, duke kërkuar që institucionet ta përmbyllin procesin e miratimit të ligjit që synon mbrojtjen e vlerave të luftës çlirimtare.
Sipas PDK-së, nuk ekziston ndonjë pengesë ligjore për miratimin e këtij ligji dhe këtë, sipas saj, e ka konfirmuar edhe Qeveria përmes opinionit të saj.
“Zvarritja e mëtejshme është e pajustifikueshme dhe përbën shpërfillje të drejtpërdrejtë të kërkesës së qytetarëve”, thuhet në reagimin e partisë.
PDK-ja ka theksuar se protestuesit, përfshirë familjarë të dëshmorëve, invalidë dhe veteranë, kanë një kërkesë të qartë dhe se institucionet duhet t’u përgjigjen përmes vendimmarrjes konkrete.
Partia opozitare ka kritikuar veçanërisht masat e ndërmarra ndaj protestuesve, duke i cilësuar ato si “tërësisht joproporcionale dhe të papranueshme”.
Sipas PDK-së, fakti që protesta ka qenë e qetë për 20 ditë e bën edhe më të pajustifikueshëm, sipas saj, përdorimin e forcës.
“Qëndresa e qytetarëve nuk mund të trajtohet si kërcënim dhe as të përdoret si pretekst për ushtrim dhune”, thuhet në reagim.
PDK-ja ka ngritur shqetësimin edhe për mënyrën e përdorimit të institucioneve të sigurisë, duke akuzuar se ato po përdoren për qëllime politike dhe për të shtypur protestën e qytetarëve.
“Është e papranueshme që institucionet e sigurisë po përdoren skajshmërisht për qëllime politike apo për ta shtypur me dhunë revoltën e arsyeshme të qytetarëve”, ka deklaruar PDK-ja.
PDK-ja u ka bërë thirrje të gjitha grupeve parlamentare dhe deputetëve që, pa vonesë, ta përmbyllin procesin e miratimit të ligjit për mbrojtjen e UÇK-së.
Sipas kësaj partie, përgjegjësia institucionale në situatën aktuale kërkon vendimmarrje, respekt ndaj qytetarëve dhe mbrojtje të dinjitetit të veteranëve dhe pjesëtarëve të luftës së UÇK-së.