Vijon protesta e 133-të para Kryeministrisë

Vijon protesta e 133-të para Kryeministrisë

Aktuale October 10, 2026 - 23:27

Protesta qytetare kundër investimit të planifikuar në Zvërnec vijoi pasditen e sotme në kryeqytet, duke shënuar ditën e 133-të radhazi.

Ashtu si edhe herët e tjera qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.

Me pankarta në duar dhe thirrje për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, protestuesit vijuan me artikulimin e kërkesave të tyre për largimin e të ashtuquajturës “kastë” e vjetër politike.

Në sheshin përpara godinës së kryeministrisë aktivistë të shoqërisë civile përsëritën kundërshtimin ndaj investimi turistik në zonën e Zvërnecit, si dhe ndaj politikave për zonat e mbrojtura dhe investimeve strategjike.

Aktivisti Arben Kola i bëri thirrje SPAK dhe BKH që të veprojë dhe të arrestojë politikanët e korruptuar.

“133 ditë vetëdije kombëtare.  Një thirrje për ambasadorin amerikan. Populli shqiptar dhe ai amerikan janë të lidhur me njëri tjetrin dhe Shqipëria kërkon ndihmë për çlirimin e Shqipërisë nga narkoshteti dhe shitja e armëve”, tha ai.

Një nga protestuesit u shpreh nga podiumi para Kryeministrisë se duhet që të mos njihet asnjë vendim që del nga parlamenti, të cilin e konsideroi si “Kuvend të krimit”.

Protestuesi theksoi se bashkitë e shkrira duhet të vijojnë punën e mos pyesin për vendimet e një parlamenti të shitur.

Protesta, e nisur në 31 maj si kundërshtim ndaj projektit të investimit në zonën e Zvërnecit, është zgjeruar gjatë javëve në vijim edhe me kërkesa politike dhe institucionale./atsh