Rrënjët e Presidentes: Cila është lidhja familjare mes Justina Shiroka-Pulës dhe Kolë Shirokës?

Rrënjët e Presidentes: Cila është lidhja familjare mes Justina Shiroka-Pulës dhe Kolë Shirokës?

Aktuale October 11, 2026 - 17:53

Zgjedhja e akademikes Justina Shiroka-Pula në postin e Presidentes së Republikës së Kosovës më 7 tetor 2026 nuk ka tërhequr vëmendjen vetëm për profilin e saj akademik dhe për marrëveshjen e minutës së fundit mes Vetëvendosjes dhe PDK-së, që i siguroi 81 vota në Kuvend.

Në biografinë e saj familjare spikat lidhja e afërt e gjakut me një nga figurat më të fuqishme të pushtetit komunist të Kosovës në kohën e ish-Jugosllavisë: Kolë Shirokën.

Lidhja familjare

Babai i saj ishte artisti prizrenas Simon Shiroka (1927–1994), mjeshtër i filigranit që e çoi zejen tradicionale të argjendarisë drejt skulpturës dhe artit bashkëkohor. Shiroka-Pula është autore e monografisë kushtuar krijimtarisë së të atit, të botuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës.

Sipas një peme gjenealogjike të publikuar në internet dhe një shkrimi publicistik të vitit 2010, Simon Shiroka ishte vëlla i Kolë Shirokës, gjë që do ta bënte këtë të fundit xhaxha të Presidentes.

Ndërsa Simon Shiroka zgjodhi rrugën e artit dhe të kulturës, Kolë Shiroka u ngjit në majat më të larta të pushtetit shtetëror e partiak monist.

Kush ishte Kolë Shiroka?

Kolë Shiroka (1 janar 1922 – 21 maj 1994) ishte politikan me ndikim për disa dekada në Kosovë dhe në federatën jugosllave. I lindur në Prizren, ai iu bashkua herët lëvizjes partizane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ishte bartës i Medaljes Përkujtimore të Partizanëve të vitit 1941.

Gjurmët e tij në vendosjen e regjimit të pasluftës shkojnë deri në vitin 1945. Sipas publicistit Sheradin Berisha, në një shkrim të vitit 2010 në portalin Pashtriku.org, Shiroka ishte delegat i rrethit të Prizrenit në Kuvendin e Prizrenit (8–10 korrik 1945).

Majat e pushtetit

Karriera politike e Shirokës kulmoi pas demonstratave të vitit 1981, të cilat tronditën themelet e federatës jugosllave. Në vitin 1982 ai pasoi Ali Shukriun në detyrën e Kryetarit të Kryesisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe e mbajti atë deri në maj 1983.

Nga maji i vitit 1985 deri në prill 1986 ai drejtoi partinë në krahinë si kryetar i Kryesisë së Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve tëKosovës. Ky post e bënte njëkohësisht anëtar të Kryesisë së Komitetit Qendror të LKJ-së në Beograd. Në krye të partisë e pasoi Azem Vllasi.

Kolë Shiroka vdiq në Beograd më 21 maj 1994, po atë vit kur u nda nga jeta edhe i vëllai, Simoni.

Nga akademia te Presidenca

Vetë Justina Shiroka-Pula ka ndërtuar një profil kryesisht akademik e profesional, krejt të ndryshëm nga ai i xhaxhait të saj. Ajo lindi në Prishtinë më 1953 dhe u diplomua në Fakultetin Ekonomik të Prishtinës më 1976. Më pas kreu studimet pasuniversitare në Zagreb dhe doktoroi në ekonomi në Universitetin e Prishtinës. Ligjëroi për dekada në Fakultetin Ekonomik, ku nisi punën më 1978.

Në dhjetor 2025 ajo u bë gruaja e parë në krye të Akademisë së Shkencave dhe e Arteve të Kosovës (ASHAK), dhe në tetor 2026 Presidente e vendit. Më herët kishte shërbyer si Ministre e Energjisë dhe Minierave (2008–2011) dhe si deputete e PDK-së në Kuvendin e Kosovës (2011–2014)./nacionale