Shala: Serbia po e shfrytëzon Kosovën për presion politik, rreziku mund të rritet pas qershorit 2027

Shala: Serbia po e shfrytëzon Kosovën për presion politik, rreziku mund të rritet pas qershorit 2027

Aktuale October 13, 2026 - 10:28

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, ka vlerësuar se deklaratat e zyrtarëve serbë për Kosovën janë pjesë e një strategjie të Beogradit për të ushtruar presion politik dhe për të ndikuar në komunitetin serb, ndërsa ka paralajmëruar se pas qershorit të vitit 2027 mund të intensifikohen veprimet që, sipas tij, rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe të rajonit.

Duke komentuar deklaratën e Ivica Daçiqit se flamuri serb “herët a vonë” do të valëvitet mbi Prizren, Shala ka thënë se qëndrime të tilla nuk janë të papritura, pasi, sipas tij, Kosova mbetet në fokus të politikave të Beogradit.

“Qëndrimi i Ivica Daçiqit tashmë nuk është një qëndrim i cili do të na befasojë në përcaktimin e politikave të Beogradit zyrtar, sepse qartazi dihet që Beogradi tashmë e ka fokus dhe target Kosovën, për të arritur në forma të ndryshme dhe ta mbajë nën presion, por njëkohësisht edhe për të përcaktuar qartazi një lloj shantazhi ndaj komunitetit serb, se do duhet dhe do të jenë të detyruar të votojnë partitë të cilat janë në pushtet”, tha Shala.

Shala ka vlerësuar se deklaratat e tilla kanë edhe ndikim elektoral në Serbi, ndërsa ka thënë se kërcënimet ndaj Kosovës duhet të trajtohen në kontekstin e zhvillimeve ushtarake dhe të sigurisë në rajon.

“Deklaratat kanë bërë më shumë për aspektin dhe efektin elektoral, sepse dihet që Serbia apo partitë serbe të cilat janë të djathtë apo të majtë, në formën e përcaktimit politik të ekstremit të tyre, janë të interesuar që përmes përdorimit të Kosovës si tampon apo si një zonë politike, të arrijnë që të shndërrohet efekti i deklaratave të tyre në vota. Por që kërcënimet janë faktike, kjo tashmë nuk është sekret, sepse dihet që Serbia në mënyrë sistematike, gjatë kësaj periudhe që kemi lënë pas, përmes një dekade, kështu 10-vjeçarit që kemi lënë pas, ka investuar në pjesën e modernizimit të kësaj ushtarak, ka bërë militarizim të skajshëm të sistemit të saj të mbrojtjes dhe sigurisë, ka bërë veprime konkrete sabotazhi, spiunazhi në drejtim të Republikës së Kosovës”, tha ai për Ekonominë Online.

Sipas Shalës, Serbia synon të shfrytëzojë zhvillimet gjeopolitike për të krijuar mundësi për veprime që mund të dëmtojnë sigurinë e Kosovës dhe atë kolektive në Ballkanin Perëndimor.

“Njëkohësisht, gjitha këto argumentojnë faktin që Serbia e synon në të ardhmen që t’i jepet mundësia diplomatike, mundësia e kohës, ndryshimeve gjeopolitike që më pas të mundë të bëjë veprime konkrete në dëmtim të sigurisë së Kosovës, por njëkohësisht edhe të sigurisë kolektive në Ballkanin Perëndimor”, potencoi Shala.

Sipas tij, fokusi i politikës së jashtme të Serbisë mbetet te Kosova dhe Republika Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, ndërsa ka përmendur edhe përpjekjet e Beogradit për të zbutur presionin ndërkombëtar.

“Prandaj, fokusi kryesor diplomatik dhe politik i Serbisë është çështja e Republikës Serbe në Bosnjë edhe është çështja e Republikës së Kosovës. Dhe këtë po e arrin, ta minimizojë presionin që vjen nga Bashkimi Evropian, nga Shtetet e Bashkuara, përmes lobimeve, çmenduri kështu duke u endur, nga kompanitë të financuara nga ana e politikës aktuale të Beogradit zyrtar”, theksoi ai.

Shala ka paralajmëruar se institucionet e Kosovës dhe vendet e rajonit duhet të ndërmarrin masa parandaluese dhe diplomatike. Ai ka përmendur mesin e vitit 2027 si periudhë kur, sipas tij, mund të ketë ndryshime në intensitetin e presionit ndaj Kosovës, pas përfundimit të ekspozitës “EXPO 2027” në Serbi.

“Prandaj, fokusi kryesor do të mbetet shqetësimi dhe marrja e masave parandaluese, institucionale, diplomatike, qoftë e Kosovës, qoftë e vendeve të rajonit dhe njëkohësisht kemi në plan të caktuar, në tavolinat tona, veprime që mund të duhen dhe do të duhet të ndërmerren nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, në bashkërendim me partnerët tanë ndaj kërcënimeve që mund të vijnë nga ana e Beogradit zyrtar pas mesit të 2027, ku e përfundon edhe ‘EXPO 2027’, ku Serbia deri në atë periudhë kohore do të tentojë vetëm ta mbajë presionin hibrid dhe presionin e dezinformimit mbi çështjen e Republikës së Kosovës dhe sigurisë kolektive në Ballkanin Perëndimor. Dhe pas muajit maj, qershor të 2027, atëherë të intensifikojmë çështjen e veprimeve konkrete si përcaktues, si rend i ri gjeopolitik dhe gjeobotëror në kontekstin e sigurisë kolektive në Ballkanin Perëndimor”, tha ai.

I pyetur për deklaratën e ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, se Serbia ka 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë pranë kufirit me Kosovën, Shala ka thënë se vëmendja duhet të përqendrohet te modernizimi i tyre, armatimi dhe lëvizjet e njësive që i shfrytëzojnë.

“Pyetjet duhet me qenë në këto baza, të cilat janë si pjesë përbërëse e ndryshimeve që kanë ndodhur gjatë viteve ’90. Pra, nuk është ndonjë bazë e re e formuar nga ana e Beogradit zyrtar, por mbetet një pyetje thelbësore: Si janë duke u modernizuar këto baza? Çfarë armatimi është duke u përcjellë këtyre bazave? Çfarë njësish janë duke lëvizur në këto baza? Cilat njësi po i shfrytëzojnë këto baza? Çfarë itinerari të aktiviteteve të tyre e kanë rreth kufirit?”, ka shtuar Shala.

Ai ka kërkuar që këto çështje të ngrihen në nivel diplomatik dhe të trajtohen në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe KFOR-in.

“Pra, këto janë pyetje thelbësore të cilat do duhet t’i ngrihet niveli i politikës së Republikës së Kosovës, në drejtim të faktorëve ndërkombëtarë, respektivisht të komandantit të KFOR-it, që t’i kërkojë një përgjegjësi eksplicite sa i përket rutës së kufirit të Republikës së Kosovës. Prandaj, këto do duhet të jenë në fokus, sepse ne e dimë që këto baza kanë ekzistuar, por tanimë modernizimi i tyre do ta përcaktojë qartazi orientimin dhe masën dhe peshën e kërcënimit në drejtim të Republikës së Kosovës”, tha Shala.