Biznesi, administrata dhe ligji - fushat më të preferuara nga studentët e rinj në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat për arsimin e lartë për vitin akademik 2025/2026, sipas të cilave fusha e biznesit, administratës dhe ligjit prin me numrin më të madh të studentëve të regjistruar për herë të parë, si në nivelin Bachelor, ashtu edhe në atë Master.
Sipas të dhënave të ASK-së, në nivelin Bachelor janë regjistruar për herë të parë 17 mijë e 605 studentë në universitetet publike dhe kolegjet private. Prej tyre, 5 mijë e 416 studentë, apo 30,8 për qind, kanë zgjedhur fushën e biznesit, administratës dhe ligjit, transmeton Zeri.info.
Në vendin e dytë renditet fusha e teknologjisë informative dhe komunikimit (TIK), me 2 mijë e 989 studentë, e ndjekur nga shëndeti dhe mirëqenia, me 2 mijë e 350 studentë.
Ndërkaq, më së paku studentë të rinj janë regjistruar në fushën e bujqësisë, pylltarisë, peshkimit dhe veterinarisë, me gjithsej 259 studentë, që përbëjnë 1.5 për qind të regjistrimeve të reja në nivelin Bachelor.
E njëjta fushë kryeson edhe në nivelin Master. Gjatë vitit akademik 2025/2026, për herë të parë në këtë nivel studimi janë regjistruar 4 mijë e 650 studentë, prej të cilëve 1 mijë e 528, apo 32.9 për qind, kanë zgjedhur biznesin, administratën dhe ligjin.
Pas kësaj fushe renditet inxhinieria, prodhimi dhe ndërtimi, me 689 studentë të regjistruar për herë të parë, ndërsa në fushën e arteve dhe shkencave humane janë regjistruar 495 studentë.
Edhe në nivelin Master, bujqësia, pylltaria, peshkimi dhe veterinarisë kanë numrin më të vogël të regjistrimeve të reja, me 77 studentë, ose 1.7 për qind të totalit.
Të dhënat e ASK-së tregojnë dallime të dukshme gjinore në përzgjedhjen e fushave të studimit. Në nivelin Master, femrat përbëjnë 87.4 për qind të studentëve në fushën e arsimit.
Në anën tjetër, në fushën e inxhinierisë, prodhimit dhe ndërtimit, përbërja gjinore është pothuajse e barabartë. Sipas statistikave të publikuara, nga 1 mijë e 459 studentë në këtë fushë, 730 janë femra dhe 729 meshkuj.
Të dhënat e publikuara nga ASK-ja përfshijnë gjithashtu krahasime të numrit të përgjithshëm të studentëve në nivelet Bachelor dhe Master për vitet akademike 2024/2025 dhe 2025/2026, sipas fushave të studimit. /Zëri