Mjekët nga Austria rikthehen në Fushë-Kosovë, ofrojnë ekzaminime për fëmijët me probleme shëndetësore

Mjekët nga Austria rikthehen në Fushë-Kosovë, ofrojnë ekzaminime për fëmijët me probleme shëndetësore

Aktuale October 15, 2026 - 15:26

Ekipet mjekësore nga Austria do të rikthehen të premten në qendrën kryesore të mjekësisë familjare “Dr. Fatmir Krasniqi” në Fushë-Kosovë, për të ekzaminuar fëmijët me probleme të zemrës, kirurgjike, ortopedike dhe urologjike.

Sipas njoftimit të Komunës së Fushë-Kosovës, ekzaminimet do të fillojnë më 16 tetor, nga ora 13:00, dhe u dedikohen fëmijëve të moshës 0 deri në 14 vjeç.

Ekipet vijnë përmes shoqatës austriake “Allianz für Kinder”, e cila mbulon shpenzimet e trajtimit në Austri, si dhe shpenzimet për një prind shoqërues.

Për qytetarët që vijnë nga komunat e tjera, do të jetë në dispozicion parkingu në oborrin e Komunës së Fushë-Kosovës.

Prindërit ftohen të paraqiten me kohë për ekzaminimin e fëmijëve të tyre. /Zëri