Presidenca pranon Ligjin për Specialen, Shiroka-Pula “do të veprojë brenda afatit ligjor”
Foto: Laura Hasani

Presidenca pranon Ligjin për Specialen, Shiroka-Pula “do të veprojë brenda afatit ligjor”

Aktuale October 15, 2026 - 19:30

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, e ka pranuar sot nga Kuvendi i Kosovës, Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes, i cili ka bërë të ditur se ajo do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor.

“Kuvendi i Kosovës sot e ka përcjellë Ligjin për Dhoma të Specializuara në Presidencë. Presidentja Shiroka Pula do t`i ndërmarrë veprimet e nevojshme brenda afatit ligjor”, ka deklaruar Kupina.

Gjatë ditës së sotme, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ia ka përcjellë presidentes ligjin për dekretim, pasi ai ishte miratuar nga deputetët në seancën plenare të 6 tetorit.

Tashmë, pritet që presidentja të ndërmarrë hapat e mëtejmë lidhur me ligjin.

Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar janë miratuar në Kuvend me 88 vota për, pa vota kundër dhe pa abstenime.