Konjufca, Gjuriqit: Takohesh me Radoiçiqin – Serbia po bën propagandë të pastër ndaj Kosovës
Në fjalën e tij të fundit në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën, ministri serb Marko Gjuriq vazhdoi pretendimet për gjendje të rëndë të serbëve në Kosovë, duke përmendur raste të ndryshme që gjoja po i bëjnë serbët të ndihen të pasigurt në Kosovë.
Por, në përgjigjen që ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca i bëri homologut të tij serb, foli për të gjitha krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë gjatë luftës.
“Është për të ardhur keq që Serbia e shfrytëzon edhe këtë platformë për të bërë fushatë për zgjedhjet e 25 tetorit. Mirëpo, do t’i sqaroj disa gjëra për ta. Kosova është shtet multietnik, sekular, harmonia fetare ka qenë një nga tiparet më të theksuara të popullit tim”.
“Ata që ne kemi me prejardhje myslimane, katolike dhe ortodokse, dhe si mundet një shtet të jetë ekstremist në aspektin fetar kur ne rishtazi kemi zgjedhur një presidente që vjen nga feja katolike”.
“Mirëpo Serbia është e njohur për shfrytëzimin e kishës së saj për ndarje etnike e nacionaliste, fabrikojnë incidente për të ruajtur marrëdhëniet e këqija ndëretnike, e ka bërë në të 90-tat dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. Gjatë luftës, një numër i madh i viktimave civile ishin shqiptarë katolike, të vrarë nga ushtria, policia dhe forcat paramilitare të Serbisë. Masakra më e madhe e 99-tës ishte ajo e Mejës. E kemi quajtur Srebrenica jonë, sepse është masakra më e madhe nga të gjitha. 377 persona janë vrarë, shumica nga të cilët popullatë katolike me fe”.
“Kjo është kur flasim për atë se sa Serbia e mbron krishtërizmin në botë. Prandaj do ta interpretojmë retorikën e Serbisë dhe taktikat politike në këtë kontekst. Është vazhdim i luftës hibride përmes nxitjes së incidenteve të rrejshme fetare”.
“Për dallim nga Serbia që ka një traditë të gjatë të diskriminimit etnik, qeveria e Kosovës e bën punën e vet në bazë të procedurave dhe parimeve të të drejtave të njeriut, pavarësisht përkatësisë etnike”, deklaroi Konjufca, raporton Klankosova.tv.
Ai tha se institucionet e Kosovës i trajtojnë të gjitha rastet e krimeve të luftës dhe hetimeve të tyre, por edhe rastet e spiunazhit dhe të uzurpimin e pronës.
“Nuk bëjmë ndjekje dhe nuk arrestojmë pa pasur prova dhe hetime të duhura. Masat që kanë të bëjnë me pronat publike të Ujmanit dhe strukturat e paligjshme janë hequr për të mbrojtur burimet strategjike për të ruajtur asetet publike dhe për të siguruar menaxhimin e tyre të qëndrueshëm. Masat e qeverisë duhet të vlerësohen në kontekst të përpjekjeve të saj për të siguruar sundim të ligjit të barabartë”.
“Për shembull, 17 prona ilegale janë rrënuar në liqenin e Ujmanit, që është në pjesën veriore, ndërsa pesë ndërtesa të njëjta janë rrënuar në liqenin e Radoniqit. Kjo do të thotë se po e zbatojmë ligjin”, u shpreh ministri i Jashtëm.
Ai tha se asnjë vend në Evropë nuk monitorohet më shumë se Kosova nga misionet diplomatike.
“Por, Serbia vazhdimisht është përpjekur për të portretizuar aktivitetet tona ligjzbatuese si frikësim me qëllim që t’i nxjerrë serbët jashtë Kosovës. Më besoni, kjo është një propagandë e pastër”, theksoi më tej Konjufca.
Sa i përket gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, “ata do të vlerësohen në bazë të kuadrit ligjor, arsyetimit institucional dhe punës së tyre”.
Ai theksoi se “gjyqtarët dhe prokurorët serbë, me direktiva të Beogradit, [më 2022] e kanë braktisur sistemin ligjor të Kosovës dhe u janë bashkuar strukturave të paligjshme të Serbisë, kështu që e kanë shkelur lojalitetin ndaj Kushtetutës së Kosovës dhe kanë vendosur t’i shërbejnë një shteti tjetër”.
“Këto janë të vërtetat dhe kur flasim për të ardhmen evropiane, me të cilën ministri Gjuriq është aq shumë i obsesionuar, gjëja e parë është që do t’ia jap një këshillë, që të mos takohet me Radoiçiqin. Fotografitë e tij me Radoiçiqin nuk e di se çka përmbajnë këto biseda mes tyre, por ai është person që kërkohet nga Interpoli dhe ne kur e shohim ministrin e një shteti kandidat që kërkon të integrohet në BE, i cili takohet me një kriminel të tillë, që kërkohet nga Interpoli, nuk e di për çfarë integrimi evropian dhe për çfarë të ardhmen evropiane po flasim”, përfundoi ministri i Jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca.