Familjarët të pakënaqur me dënimin prej 10 vjetësh ndaj Gjokoviqit: Ku është drejtësia?

Familjarët të pakënaqur me dënimin prej 10 vjetësh ndaj Gjokoviqit: Ku është drejtësia?

Aktuale October 21, 2026 - 15:05

Dëshmitari Halit Gashi ka shprehur pakënaqësi ndaj dënimit prej 10 vjetësh burgim të shqiptuar ndaj Millorad Gjokoviqit për krime lufte kundër popullsisë civile, duke kërkuar që në procedurën e apelit të trajtohen edhe vrasjet e civilëve shqiptarë në Ozdrim të Pejës.

Pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Gashi ka thënë se dënimi nuk ua kthen jetën viktimave dhe se, sipas tij, në aktakuzë nuk janë përfshirë vrasjet për të cilat ai kërkon drejtësi.

“Asnjë dënim nuk mund t’i kthej jetën e atyre që u morën padrejtësisht. Por triumfi i së vërtetës është obligim ndaj gjakut të tyre. Familjes Krasniqi, Shalë, Morina, Gashi, Husaj, ku janë vëllezërit këtu, u shpreh gëshlime. Asnjë këto nuk u përmenden aty në këtë akuzë, vetëm 40 persona të cilët kanë qenë të burgosur, të maltretuar, ndërsa për vrasje asnjë, asnjë ditë dënim drejtësia, gjykata nuk e dha”, tha ai.

Gashi ka paralajmëruar se vendimi do të ankimohet në apel, ndërsa ka ftuar përfaqësues vendorë dhe ndërkombëtarë që të përfshihen në trajtimin e rastit.

“Nuk e di çfarë dënim është ky. Qesharake Ku është drejtësia? Ku janë vrasjet? Ku janë kufomat? I kemi bërë obduksionet e tyre. Në apel, menjëherë, menjëherë kemi me dërgu. Ftoj edhe kombëtarë dhe ndërkombëtarë që të marrin pjesë në këtë gjykim edhe të shohim ku jemi”, tha ai.

Ai ka vlerësuar punën e Prokurorisë, por ka kërkuar që të ndriçohen edhe rastet e vrasjeve që, sipas tij, kanë ndodhur gjatë ofensivës në Ozdrim më 7 maj 1999.

“Prokuroria ka punuar, boll. Por duhet edhe të ndriçohen rastet, vrasjet 14 veta të vrarë. 14 vetë i kam të vrarë. Duhet të dënohet krimi njerëz të pafajshëm. Pleq, të rinj, të reja, 18 vjet kam djalin që e kanë marrë në spital atje të plagosur, e çuar 12 km, Lutogllavë e të varrosur aty. I kemi gjetur, janë bërë ekspertizë, i kemi tanë ato faktet, provat, dëshmitë, unë nuk e di çka është kjo kështu. Ftoj kombëtarët dhe ndërkombëtarët që të vijnë dhe të merren me këtë lëndë, me këtë gjenocid që është bërë në Ozdrim, me 7 maj 1999”, tha ai.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Millorad Gjokoviqin për krime lufte kundër popullsisë civile dhe e ka dënuar me 10 vjet burgim.

Vendimin e ka shpallur kryetarja e trupit gjykues, gjyqtarja Donika Shala-Abdyli. /eo