Mustafa: Familjet po përballen me inflacionin, pushtetarët s’e ndiejnë këtë brengë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka kritikuar rritjen e çmimeve në Kosovë, duke thënë se shumica dërrmuese e familjeve po përballen me vështirësi për të përballuar shpenzimet mujore.
Duke folur në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, Mustafa deklaroi se inflacioni i viteve të fundit i ka detyruar familjet që vazhdimisht të rishikojnë buxhetet e tyre, pasi të hyrat mujore nuk po u mjaftojnë për t’i mbuluar shpenzimet.
“Të gjithë jemi dëshmitarë për inflacionin e tmerrshëm që kemi përjetuar këto vitet e fundit në Republikën e Kosovës. Nuk ka familje kosovare, mund ta them 99 për qind e familjeve kosovare detyrohen që çdo muaj të ulen dhe të diskutojnë rreth buxhetit familjar, rreth të hyrave mujore që nuk po i mbulojnë shpenzimet mujore”, tha ai.
Mustafa theksoi se rritja e çmimeve vërehet në produktet ushqimore, veshmbathje dhe karburante, duke shtuar se qytetarët po përballen me kosto gjithnjë e më të larta të jetesës.
Ai kritikoi edhe pushtetarët, për të cilët tha se nuk e ndajnë të njëjtin shqetësim me shumicën e qytetarëve.
“Por të njëjtën brengë, në atë 1 për qind që e lash pa e përmendur, nuk e ndajnë kryesisht disa familje, e që ndër to bëjnë pjesë edhe pushtetarët këto gjashtë vitet e kaluara, që natyrisht nuk e ndiejnë këtë brengë”, deklaroi deputeti i LDK-së.
Gjatë fjalës së tij, Mustafa ngriti edhe shqetësime për tenderët që i cilësoi si të dhënë “në katër sy”, si dhe për çmimet e larta të banesave në kryeqytet.
Ai u bëri thirrje deputetëve që të mbikëqyrin më nga afër punën e ministrave, ndërsa kërkoi nga prokurorët që të nisin hetime për rastet që ai i cilësoi si të dyshimta.
“Sidomos ju të pushtetit, sepse në emrin tuaj janë fituar këto vota, e pushteti po vazhdon me dallavere duke falur 4 euro metrin katror të ndërtesave të shtetit, pra pronën e shtetit, pronën e qytetarëve të Kosovës. Me shpresën që po dëgjon dikush, lus prokurorët që të fillojnë hetimet në këto raste”, tha Mustafa.