Pjesëmarrja e shqiptarëve, e rëndësishme për numrin e mandateve

Pjesëmarrja e shqiptarëve, e rëndësishme për numrin e mandateve

Aktuale October 25, 2026 - 20:00

Serbia po mban zgjedhjet parlamentare në një atmosferë të tensionuar politike dhe me pritje për ndryshime në skenën politike të vendit. Analistët vlerësojnë se pjesëmarrja e lartë në votim mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar dhe në të ardhmen politike të Serbisë. Në këto zgjedhje, shqiptarët e Luginës së Preshevës garojnë me një listë të përbashkët, ndërsa pjesëmarrja e tyre konsiderohet e rëndësishme për numrin e mandateve që mund të sigurojnë në Parlament.

Në Serbi sot u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat u raportua se u shoqëruan me pjesëmarrje të lartë të qytetarëve dhe pritje për ndryshime në skenën politike.

Mbi 6 milionë e 450 mijë qytetarë kanë të drejtë vote, ndërsa 18 lista zgjedhore garojnë për 250 ulëset e Parlamentit të Serbisë.

Këto zgjedhje zhvillohen pas një periudhe pakënaqësish dhe protestash të udhëhequra nga studentët ndaj pushtetit shumëvjeçar të Aleksandar Vuçiqit.

Analisti politik Dorajet Imeri vlerëson se mobilizimi i madh i qytetarëve mund ta bëjë këtë proces zgjedhor një moment të rëndësishëm për të ardhmen politike të Serbisë.

“Këto zgjedhje mund të konsiderohen të një rëndësie historike për Serbinë, sepse mundësia reale që Serbia të ketë ndryshim politik ose në kursin e saj, mund të jetë shumë e madhe. Për këtë janë dy arsye, dalja masive në zgjedhje dhe mobilizimi i gjithëmbarshëm i shoqërisë në Serbi për të ndryshuar regjimin politik atje”, ka thënë Imeri.

Por, përveç garës ndërmjet pushtetit dhe opozitës, vëmendja është përqendruar edhe te vota e komuniteteve pakicë, përfshirë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Për analistin Dorajet Imeri, pjesëmarrja e shqiptarëve është e rëndësishme jo vetëm për numrin e mandateve që mund të fitojnë, por edhe për rolin që përfaqësuesit e tyre mund të kenë në përbërjen e ardhshme parlamentare.

“Edhe për shqiptarët në Serbi është shumë e rëndësishme që të ketë dalje sa më masive në zgjedhje dhe dalja e tyre natyrisht që do të reflektohet në mandatet politike që do të fitohen në Parlamentin e Serbisë. Dhe nëse eventualisht rezultati është i ngushtë në mes krahëve politikë atje, rëndësia e minoriteteve pastaj bëhet përcaktuese për formimin e qeverisë", ka shtuar Imeri.

Bashkimi i subjekteve shqiptare në një listë të përbashkët vjen pas marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e kryeministrit Kurti, në fund të shtatorit në Prishtinë.

Në zgjedhjet e vitit 2020, kur partitë shqiptare garuan të bashkuara, arritën të siguronin tri ulëse në Parlamentin e Serbisë. Këtë herë, synimi është që të rritet përfaqësimi dhe të adresohen çështjet me të cilat përballen shqiptarët e Luginës, përfshirë pasivizimin e adresave, arsimin dhe përdorimin e gjuhës shqipe./RTK