Kamberi: Kemi siguruar dy mandate, jemi në garë për të tretin
Shaip Kamberi, bartësi i listës së “Koalicionit Shqiptar” në Luginën e Preshevës ka bërë të ditur se, sipas rezultateve preliminare, ky koalicion ka siguruar dy mandate në Kuvendin e Serbisë dhe është në garë për një mandat të tretë.
Përmes një reagimi, ai ka njoftuar se koalicioni ka marrë 27.230 vota, të cilat, pas aplikimit të koeficientit prej 35 për qind për pakicat kombëtare, japin një vlerë llogaritëse prej 36.761 votash.
Bartësi i listës e ka cilësuar këtë rezultat si një arritje historike për shqiptarët e Luginës së Preshevës.“Ky është rezultati i bashkimit politik, i besimit qytetar dhe i përkushtimit të përbashkët për përfaqësim dinjitoz”, ka shkruar ai.
Ai ka falënderuar qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për besimin, subjektet politike për bashkimin, si dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për angazhimin e tij.
“Bashkë në zgjedhje, bashkë në përfaqësim, bashkë për të drejtat tona!”, përfundon reagimi i tij.