Gërvalla: Arlinda nuk i është drejtuar Qeverisë, nuk mund të shkarkoj prokurorë e gjyqtarë
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se nuk ka kompetencë kushtetuese për të shkarkuar prokurorët apo gjyqtarët lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, e cila kishte kërkuar mbrojtje nga drejtësia para se të vritej. Ajo ka theksuar se, ndonëse duhet të ketë përgjegjësi institucionale, kompetencat e ministrit të Drejtësisë janë të përcaktuara me Kushtetutë, raporton Ekonomia Online.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Gërvalla ka thënë se Arlinda i ishte drejtuar drejtësisë, por nuk e kishte marrë mbrojtjen e kërkuar. Ajo ka shtuar se vrasja e grave nga partnerët, ish-partnerët apo familjarët është fenomen ndërkombëtar, ndërsa ka kërkuar që para deklaratave të nxituara të analizohen shkaqet e rritjes së numrit të rasteve këtë vit.
“E para, e dëgjoj— ju e dëgjova të gjithëve me shumë vëmendje— dëgjova propozime shumë të mira, por pashë edhe shumë mosdije dhe shumë mungesë informacioni rreth asaj çka vërtet ka ndodhur, jo vetëm në aspektin legjislativ, por edhe në implementimin real të procedurave të ndryshme, të protokolleve të ndryshme, të cilat kanë ndryshuar qasjen institucionale ndaj viktimave të dhunës në familje. Është e vërtetë, numri i vjet është alarmant, por hajde të flasim pak edhe për numrin 1 të vitit të kaluar. Duhet të analizojmë me kujdes shkaqet e rritjes së numrit këtë vit para se të japim deklarata. Sepse të njëjtat ligje kanë qenë edhe vitin e kaluar, 2025, kur për fat të mirë kemi një viktimë të vetme, por edhe ajo është një më tepër sesa që do të duhej të ishte. Mos krijohet përshtypja e gabuar që dhuna në familje— vrasja e gruas nga partneri i ish-partneri, apo familjarët— është një fenomen kosovar apo një fenomen vetëm i yni”, tha ajo.
Gërvalla ka kundërshtuar edhe kërkesat që përgjegjësia të adresohet përmes shkarkimeve nga ana e saj, duke theksuar se ministri i Drejtësisë nuk mund të ndërhyjë në kompetencat e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
“Dhuna në familje, fatkeqësisht, dhe vrasja e grave nga partnerët apo ish-partnerët e tyre është një fenomen ndërkombëtar. Mirëpo, ajo çka e dallon Kosovën nga shumë vende të tjera është që ne, qoftë në debatin publik, qoftë në debatin politik, e marrim shumë seriozisht. Secilin prej rasteve që ndodhin në vendin tonë. Dhe kjo është shumë e mirë. Sot nuk mendoj që është dita më e hesht, sepse po të heshtim, krijojmë përshtypjen që po i injorojmë nevojat dhe që po i injorojmë pritjet që kanë qytetarët e Republikës ndaj asaj çfarë duhet të thonë të zgjedhurit e tyre, dhe qeveria që ka dalë nga ky Kuvend. Arlinda i është drejtuar drejtësisë dhe nuk ka marrë mbrojtjen e kërkuar. Fatkeqësisht, Arlinda nuk i është drejtuar qeverisë. Ndoshta po të ishte drejtuar qeverisë, ndoshta do të kishte pasur angazhim, duke respektuar natyrisht rendin kushtetues të vendit tonë. Po, do të duhet të ketë edhe shkarkime, mirëpo në rendin tonë kushtetues, në Republikën tonë parlamentare, nuk është ministri i Drejtësisë ai që shkarkon as prokurorë, as gjyqtarë. Ministri i Drejtësisë i ka detyrat e veta, nuk është as polic, as prokuror, dhe as gjyqtar, e respekton pavarësinë e gjyqësorit, edhe në bashkëpunim me instancat e gjyqësorit, përpiqemi së bashku t’i japim zgjidhje problemeve të përbashkëta. Prandaj, unë nuk mund të shkarkoj asnjë prokuror i cili e ka lënë në baltë Arlindën, sepse nuk është— nuk ma jep këtë kompetencë kushtetuta. As nuk mund të ndryshoj fotot në publik për shoqëritë përjetshme e jo veç për fushata të njerëzve të ndryshëm, por nuk jemi mbledhur sot për të diskutuar për këtë”, tha ajo.