Ish-drejtori i Policisë për vrasjen e Arlinda Zekajt: Institucionet e dinin rastin, duhet të japin llogari

Ish-drejtori i Policisë për vrasjen e Arlinda Zekajt: Institucionet e dinin rastin, duhet të japin llogari

Aktuale October 26, 2026 - 23:44

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, ka kërkuar hetim të thellë dhe përgjegjësi institucionale për vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se institucionet përgjegjëse kishin pasur njohuri paraprake për problemet me të cilat përballej viktima.

Duke folur në Tëvë1, Maliqi ka vlerësuar se rasti nuk duhet të trajtohet vetëm përmes reagimeve pas tragjedisë, por duhet të shërbejë për një analizë të hollësishme të veprimeve dhe mosveprimeve të institucioneve që kishin për obligim ta mbronin jetën e saj.

Sipas tij, duhet të hetohet nëse ka pasur neglizhencë, mungesë profesionalizmi apo papërgjegjësi nga zyrtarët që janë marrë me rastin.

“Rasti i saj nuk ishte rast i panjohur, por ishte rast për të cilin organet dhe institucionet përgjegjëse kishin njohuri edhe më herët. Fillimisht, lidhur me problemet që kishte me bashkëshortin, ajo i ishte drejtuar edhe prokurorisë. Duhet të merren masa ndaj të gjithë atyre që e kanë neglizhuar rastin dhe nuk kanë ndërmarrë masat ligjore që i kanë pasur për obligim”, ka thënë Maliqi.

Ai ka theksuar se nuk mjafton që rasti të regjistrohet në kronikën e zezë dhe institucionet të reagojnë vetëm pasi të ndodhë tragjedia. Sipas tij, është e domosdoshme të shqyrtohet se cilat masa është dashur të ndërmerren dhe pse ato nuk janë zbatuar.

Maliqi ka vlerësuar se dorëheqjet e zyrtarëve përgjegjës mund të kishin efekt moral dhe institucional, por ka nënvizuar se përgjegjësia duhet të shoqërohet edhe me masa konkrete.

“Besoj se ky rast kërkon një analizë më të thellë të institucioneve përkatëse, të cilat e kanë obligim ta mbrojnë jetën e qytetarëve. Duhet të shqyrtohen masat që është dashur të ndërmerren dhe pse nuk janë marrë, si dhe të shihet nëse ka pasur neglizhencë, joprofesionalizëm apo mungesë përgjegjësie. Besoj se edhe dorëheqjet do ta kishin dhënë efektin e vet, sepse dorëheqja është akt fillimisht moral”, ka deklaruar ai.

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës ka thënë se, bazuar në informacionet e bëra publike deri më tani, ekzistojnë dyshime serioze për dështime institucionale në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.

Ai ka kërkuar që institucionet kompetente të analizojnë veprimet e secilit zyrtar të përfshirë dhe të ndërmarrin masa ligjore e disiplinore nëse konstatohen shkelje.

“Nga ajo që po thuhet deri më tani, shihet se mund të ketë pasur dështim dhe neglizhencë institucionale, si dhe përgjegjësi për mbrojtjen e jetës së saj. Besoj se të gjitha këto do të analizohen dhe do të merren masa ndaj personave që kanë treguar neglizhencë ose e kanë anashkaluar rastin. Tash është koha që të veprohet dhe të zbardhen arsyet pse nuk është vepruar me kohë”, ka thënë Maliqi.

Ai ka theksuar se hetimi duhet të sqarojë nëse mosveprimet kanë ardhur si pasojë e neglizhencës, mungesës së njohurive profesionale apo ndikimeve të tjera, në mënyrë që përgjegjësit të përballen me pasojat e veprimeve të tyre.