Gusia: Komunat s’po e zbatojnë Rregulloren për koordinimin e rasteve të dhunës ndaj grave
Kryeshefja ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore (ABGJ), Edi Gusia, gjatë raportimit në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore dhe Peticione, ka folur për kompetencat e institucionit në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, masat ligjore për mbrojtjen e grave dhe përgjegjësitë e institucioneve, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ajo ka theksuar se mekanizmat koordinues në nivel lokal nuk po funksionojnë siç duhet dhe se takimet e tyre janë pothuajse inekzistente.
Duke folur para anëtarëve të komisionit, kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së ka sqaruar se institucioni që ajo drejton nuk ka mandat ligjor për t’i trajtuar drejtpërdrejt rastet individuale të dhunës në familje apo të diskriminimit, duke theksuar se përgjegjësitë institucionale janë të ndara me ligj.
“Unë do të ndajë këtu me ju, për atë sot ju keni nevojë të merrni opinionin e agjencisë në lidhje me këtë çështje, edhe pse ne duhet ta sqarojmë, Agjencia për Barazi Gjinore, në bazë të Ligjit për Barazi Gjinore, nuk ka mandat t’i trajtojë rastet, qoftë të dhunës në familje apo rastet e diskriminimit. Domethënë, korniza ligjore e Republikës së Kosovës i ka mandatet shumë të qarta sa i përket barazisë gjinore. Është komisioni në Kuvend, është agjencia si agjenci ekzekutive, politikë-hartuese dhe monitoruese, dhe është institucioni i Avokatit të Popullit, i cili merret me trajtimin e rasteve të diskriminimit bazuar në gjini në përgjithësi. Do të thotë, kompetencat janë shumë të ndara, janë të ndara mirë”, ka thënë ajo.
Kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së ka përmendur punën e institucionit në hartimin e kornizës ligjore për mbrojtjen nga dhuna në familje, duke theksuar se agjencia ka hartuar ligjin e parë për këtë çështje në vitin 2010, si dhe procedurat standarde të veprimit për trajtimin e rasteve.
“Sa i përket angazhimit të Agjencisë për Barazi Gjinore në përgjithësi në hartimin e kornizës ligjore, vlen të theksohet se agjencia ka hartuar ligjin e parë për mbrojtjen nga dhuna në familje në vitin 2010, kur, të themi, ndoshta asnjë nga shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk kishte ligj për mbrojtjen nga dhuna në familje. Jemi hartues të procedurave standarde të veprimit për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, ku përshkruhen detyrat dhe përgjegjësitë e gjithë zinxhirit institucional. Ato procedura ende vazhdojnë të jenë në fuqi. Këtë vit i kemi rishikuar këto procedura dhe mbetet që ato të miratohen nga koordinatorja nacionale, Ministria e Drejtësisë”, deklaroi Gusia.
Ajo ka rikujtuar gjithashtu se në vitin 2013, ABGJ-ja i kishte propozuar Qeverisë themelimin e mekanizmit të koordinatorit nacional, me qëllim të forcimit të koordinimit institucional për trajtimin e çështjeve që lidhen me barazinë gjinore dhe dhunën ndaj grave.
“Vlen të theksohet se në vitin 2013 ishte pikërisht Agjencia për Barazi Gjinore që i propozoi Qeverisë themelimin e një mekanizmi si koordinatorja ose koordinatori nacional dhe që ne insistuam që ajo detyrë t’i jepej një personi me mandat politik, pasi që Agjencia për Barazi Gjinore, me Ligjin për Barazi Gjinore, udhëhiqet nga shërbimi civil. Do të thotë, titullari i agjencisë është shërbyes civil, i cili i përgjigjet drejtpërdrejt kryeministrit. Është një lloj, të themi, institucioni i pavarur, i rekomanduar prej Platformës së Pekinit të vitit 1995, ku insistohet që të kemi një mekanizëm të tillë të pavarur, por që llogaritet një në katër krahas politikës”, ka thënë kryeshefja ekzekutive e ABGJ-së.
Duke folur për bashkëpunimin ndërinstitucional, ajo ka thënë se ABGJ-ja ka punuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë në rishikimin e legjislacionit për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna me bazë gjinore.
“Ashtu siç e cekët, ne kemi bashkëpunuar shumë ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë në rishikimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore. Dhe ndër këto vite kemi bashkëpunuar dhe bashkëpunojmë me Ministrinë e Drejtësisë në hartimin e gjithë kornizës ligjore dhe akteve nënligjore sa i përket trajtimit të rasteve të dhunës në familje. Vlen të theksohet se Ministria e Drejtësisë, në katër vitet e fundit, ka amendamentuar, ka plotësuar, ka ndryshuar dhe ka hartuar 22 akte normative, ligje, akte nënligjore dhe rregullore sa i përket trajtimit të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave”, ka deklaruar ajo.
Kryeshefja ekzekutive ka folur edhe për trajnimet e Policisë së Kosovës për trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke thënë se agjencia ka trajnuar rreth 11 mijë e 300 policë që nga hyrja në fuqi e procedurave standarde të veprimit në vitin 2013.
Megjithatë, ajo ka theksuar se kapacitetet e kufizuara njerëzore të agjencisë e vështirësojnë zgjerimin e këtyre trajnimeve.
“Tani, nëse kthehemi specifikisht te mandati i agjencisë, thashë, ndër vite ne trajnojmë Policinë e Republikës së Kosovës për aq sa kemi kapacitete. Divizioni për Legjislacion në agjenci, që ju udhëheq këto trajnime, ka një staf minimal prej vetëm tre personash, i cili ndër vite nuk është rritur. Dhe nëse i shohim, nga hyrja në fuqi e procedurave standarde të veprimit në vitin 2013, Agjencia për Barazi Gjinore ka trajnuar diku rreth 11 mijë e 300 policë të Republikës së Kosovës. Ky nuk është numër i mjaftueshëm, por prapë po e them, me numrin e stafit të cilin ne e kemi në dispozicion, këto janë kapacitetet e agjencisë”, ka thënë ajo.
Ajo ka vënë në pah edhe përgjegjësitë e komunave për funksionimin e mekanizmave koordinues, të cilët duhet të mbledhin institucionet përgjegjëse për të diskutuar rastet e dhunës ndaj grave.
“Në anën tjetër, kemi trajnuar edhe mekanizmat koordinues në nivel lokal, sepse të gjitha komunat e Republikës së Kosovës kanë përgjegjësi të themelojnë mekanizmin koordinues në bazë të rregullores të cilën e ka hartuar Ministria e Drejtësisë, dhe kryesuesi i mekanizmit koordinues është kryetari i komunës. Po ndalem veç pak për ta sjellë vëmendjen tuaj se pse është i rëndësishëm ky mekanizëm koordinues, sepse ka obligim që së paku tri herë në vit, çdo kryetar i komunës të ftojë drejtorin e QPS-së, drejtorinë për shëndetësi, drejtorin e stacionit të policisë, gjykatën themelore dhe prokurorinë, mbrojtësit e viktimave, ndihmën juridike falas në komunën në të cilën ai apo ajo e udhëheq, dhe të informohet saktësisht për të gjitha rastet e dhunës ndaj grave që i ka në komunën e vet. Këto raste ka një moszbatim të kësaj rregulloreje. Nëse ju si komision parlamentar u adresoheni 38 kryetarëve të komunave se sa herë e kanë ftuar mekanizmin koordinues, do ta shihni që takimet janë gati se inekzistente”, ka thënë ajo.
Ajo ka folur për financimin e strehimoreve për viktimat e dhunës, duke thënë se Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka ndarë 1.5 milion euro për dhjetë strehimoret në Kosovë. Sipas saj, edhe komunat kanë obligim të kontribuojnë në financimin e tyre.
“Në anën tjetër, strehimoret kanë një financim të qëndrueshëm. Do të thotë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka disbursuar 1.5 milion euro për dhjetë strehimoret e Republikës së Kosovës, njëra nga të cilat është strehimore për trafikim me qenie njerëzore, të cilën e udhëheq Qeveria, ndërsa nëntë të tjerat janë organizata të shoqërisë civile. Po, në anën tjetër, komunat kanë përgjegjësi që të financojnë. Normalisht, është e pamundur që 38 komunat të kenë secila nga një strehimore, sepse nuk ka mjete buxhetore, mirëpo komunat kanë për obligim t’i financojnë strehimoret në të cilat, domethënë, strehohen viktimat e rajonit. A e bëjnë të gjitha komunat këtë? Jo. Dikush financon, dikush nuk financon, por kjo është përtej kompetencave tona. Kjo është një pyetje që ndoshta është dashur të zgjidhet nëpërmjet Ministrisë së Pushtetit Lokal dhe të shihet cilat janë ato komuna të cilat nuk i financojnë strehimoret”, tha tutje ajo. /eo