Studentët në protestë për të 16-ën ditë në Shqipëri

Studentët në protestë për të 16-ën ditë në Shqipëri

Aktuale October 28, 2026 - 18:49

Studentët vijuan edhe sot, në ditën e 16-të, protestën para Ministrisë së Arsimit, në Rrugën e Durrësit me thirrje kundër qeverisë dhe klasës politike në vend.

“Pa rini nuk ka Shqipëri”, “Rama jep dorëheqjen” dhe “Revolucion” janë disa nga sloganet që ata kanë thirrur gjatë tubimit.

Ndërkohë, në mbështetje të protestës janë bashkuar edhe disa pedagogë.

Profesori Lush Susaj tha se do të vijojë të jetë pjesë e protestave. Ai tha se klasa politike ka dëmtuar vendin dhe cenuar të ardhmen e të rinjve.

Susaj u bëri thirrje gjithashtu studentëve që të mos tërhiqen përballë presioneve dhe shantazheve, duke kundërshtuar thirrjet për t’u kthyer në auditorë pa u plotësuar kërkesat e tyre.

“Unë do të mobilizohem edhe nëse ka një protestë brenda protestës. Këta e kanë masakruar këtë vend, ia kanë shkulur zemrën, po ia heqin të ardhmen”, tha ai.

Pas qëndrimit te Ministria e Arsimit, studentët marshuan drejt Kryeministrisë.

Më pas një pjesë e studentëve marshuan përgjatë Rrugës së Elbasanit dhe u futën brenda ambienteve të Fakultetit Ekonomik, me thirrjet “Bashkohuni me ne!”.

Ata kërkuan gjithashtu bojkotimin e mësimit nga studentët e Fakultetit Ekonomik. Pas Ekonomikut, të rinjtë marshuan drejt Fakultetit të Drejtësisë me thirrjen që edhe studentët e atij fakulteti të bashkoheshin në protestë.

Më tej studentët marshuan nëpër rrugët kryesore në Tiranë, ku u ndalën tek Drejtoria e Policisë si dhe pranë rrethrrotullimit të Zogut të Zi, për t’u rikthyer sërish para Ministrisë së Arsimit.

Të rinjtë në protestat e mëparshme kanë refuzuar ftesën për dialog me kreun e qeverisë.