Hyjnë në fuqi masat: Gjoba deri në 5 mijë euro për tubuesit me maska, “listë e zezë” për udhëtimet në Evropë

Hyjnë në fuqi masat: Gjoba deri në 5 mijë euro për tubuesit me maska, “listë e zezë” për udhëtimet në Evropë

Aktuale October 28, 2026 - 21:46

Qeveria e Shqipërisë ka paraparë ndryshime në Ligjin për Tubimet, përmes të cilave synon të ashpërsojë gjobat për shkeljet gjatë protestave, të përcaktojë kufizime të përkohshme rreth objekteve të caktuara dhe të krijojë një regjistër të posaçëm elektronik për personat e referuar ose nën hetim për vepra të dhunshme gjatë grumbullimeve publike.

Sipas ndryshimeve të propozuara, gjobat për mosbindje ndaj urdhrit të policisë për shpërndarjen e një tubimi mund të arrijnë deri në 200 mijë lekë, rreth 2,000 euro. Kur personi është me identitet të fshehur, gjoba mund të arrijë deri në 500 mijë lekë, rreth 5,000 euro.

Për pjesëmarrjen në një tubim të ndaluar dhe fshehjen e paligjshme të identitetit parashikohen gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë, përkatësisht rreth 100 deri në 1,000 euro. Ndërkaq, moszbatimi i urdhrit për largim nga një zonë e mbrojtur mund të dënohet me gjobë deri në 100 mijë lekë, rreth 1,000 euro.

Për bllokimin e rrugëve automobilistike gjatë protestave, kur pengohet qarkullimi i automjeteve dhe veprimi nuk përbën vepër penale, parashihet gjobë prej 5,000 lekësh, rreth 50 euro, për secilin person për çdo ditë bllokimi.

Ndryshimet parashohin gjithashtu gjoba nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë (rreth 110–1,100 euro) për mosbindje ndaj urdhrit të policisë për ndërprerjen dhe shpërndarjen e tubimit në rastet e përcaktuara me ligj. Për përdorimin e uniformave, shenjave ose simboleve në kundërshtim me ligjin, gjoba parashikohet nga 50 mijë deri në 100 mijë lekë (rreth 550–1,100 euro).

Kufizime të përkohshme për tubimet

Sipas aktit normativ, policia, me miratimin e prefektit, mund të ndalojë ose kufizojë tubimet në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore ose shtetërore, kur ekziston rrezik real, serioz dhe i afërt për dhunë ndaj personave ose dëmtim të rëndë të pronës.

Kufizimi mund të zgjasë deri në 72 orë dhe mund të rinovohet vetëm një herë, përmes një vendimi të ri të arsyetuar. Vendimi duhet të përcaktojë perimetrin, kohëzgjatjen dhe arsyet e kufizimit, si dhe të publikohet para se të zbatohet.

Personat e interesuar mund ta ankimojnë vendimin në gjykatën administrative, e cila duhet të vendosë brenda 48 orëve. Kufizimi nuk mund të përfshijë të gjithë territorin e një njësie të vetëqeverisjes vendore.

Ndryshimet parashikojnë edhe mundësinë që policia të urdhërojë largimin e një personi nga një zonë e mbrojtur për një periudhë deri në 48 orë, nëse sjellja e tij konkrete përfshin kërcënime, ngacmime të përsëritura, dhunë, dëmtim të pronës ose pengim me dhunë të qasjes në atë zonë.

Urdhri duhet të jepet me shkrim, të përmbajë arsyet dhe faktet konkrete, si dhe t'i dorëzohet personit përkatës. Masa nuk mund të zbatohet për shkak të pjesëmarrjes në një tubim paqësor, karakteristikave personale, kombësisë, statusit social, pamjes apo vetëm për shkak të precedentëve penalë.

Masa për thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

Paketa përfshin edhe dispozita për mesazhet që përmbajnë thirrje për dhunë gjatë organizimit ose zhvillimit të tubimeve, të shpërndara përmes rrjeteve sociale, postës elektronike ose komunikimeve telefonike.

Në këto raste, pasi të identifikojë llogarinë, adresën elektronike ose numrin e telefonit përmes të cilit është bërë komunikimi, policia mund t'i dërgojë personit një njoftim për fshirjen e përmbajtjes dhe mospërsëritjen e veprimeve të tilla. Nëse përmbajtja nuk fshihet ose veprimet përsëriten, policia mund të ndërmarrë masa në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Po ashtu, policia do të regjistrojë me mjete audiovizuale paralajmërimet për shpërndarjen e tubimeve, si dhe aktet e dhunës ndaj personave ose dëmtimet e pronës gjatë protestave. Regjistrimet do të ruhen dhe përpunohen sipas legjislacionit përkatës, përfshirë ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.

Regjistër i posaçëm për personat e referuar ose nën hetim

Përveç ndryshimeve në Ligjin për Tubimet, paketa përfshin edhe një vendim për krijimin dhe funksionimin e një regjistri të posaçëm elektronik, që do të administrohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit.

Në këtë regjistër do të përfshihen personat e referuar në prokurori ose nën hetim për vepra penale kundër autoritetit shtetëror, rendit dhe sigurisë publike, kur rastet përfshijnë veprime konkrete të dhunshme ndaj jetës dhe shëndetit të personave ose ndaj pronës publike dhe private gjatë grumbullimeve e manifestimeve publike.

Regjistri do të përmbajë të dhëna për identitetin e personave, burimin e informacionit, datën e regjistrimit, numrin e referimit dhe masat kufizuese në fuqi, nëse ka të tilla. Shkëmbimi i të dhënave do të bëhet përmes sistemeve elektronike të autorizuara.

Policia Kufitare dhe e Migracionit do të ketë qasje të kufizuar në regjistër për verifikime kufitare dhe zbatimin e masave kufizuese. Sipas vendimit, në raste të caktuara, kur nga verifikimi individual rezultojnë të dhëna konkrete për pjesëmarrje në veprime të dhunshme gjatë manifestimeve, mund të refuzohet administrativisht dalja nga territori i Shqipërisë, sipas dispozitave ligjore të cituara në vendim.

Vendimi parashikon gjithashtu që Policia e Shtetit të njoftojë strukturat private të akomodimit për personat për të cilët ka të dhëna konkrete lidhur me pjesëmarrjen në veprime të tilla, kur materialet përkatëse u janë referuar prokurorisë.

Nevoja për ruajtjen e të dhënave të personave të regjistruar duhet të rishikohet brenda 30 ditëve nga regjistrimi. Nëse prokuroria kompetente njofton se nuk do të fillojë procedimi penal ose se çështja është pushuar, të dhënat e personit duhet të fshihen nga regjistri.