Kusari: S’ka asnjë arsye që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt të mos jetë publike
Juristja e medias, Flutura Kusari, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila e ka mbyllur për publikun seancën e Kolegjit, ku do të elaborohen ankesat ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin u shpallën fajtorë dhe u dënuan Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Ajo ka thënë se nuk ka asnjë arsye që të ndodhë një gjë e tillë, duke shtuar se siç ka thënë ajo kjo mungesë e transparencës do të dëmtojë Gjykatën e Apelit.
“Nuk ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit në rastin e Liridona Ademajt mos me qenë publike. Në fakt ka qenë një momentum shumë i rëndësishëm pas vrasjes së Arlindës që Gjykata e Apelit të tregojë që është këtu për me i mbrojt gratë nga femicide, ndërsa ajo që pamë këtu sot është një vendim kisha me thënë i paarsyetum se me mbyllë një seancë gjyqësore edhe pse nuk ekzistojnë arsyet ligjore. Gjithçka rreth këtij rasti është publik. Kemi pa krejt çka duhet me pa, të gjitha rrethanat në shkallën e parë, kështu që nuk ka asnjë arsye ligjore. Kjo mungesë e transparencës ka me dëmtu Gjykatën e Apelit dhe ka me dërgu një mesazh që rastet e femicidit nuk gjykohen me transparencë të plotë”, ka thënë ajo.