Kurti pranon raportet për rastin e Arlinda Zekajt, Gërvalla e Sveçla, nesër mbajnë konferencë për media
Foto: Laura Hasani

Kurti pranon raportet për rastin e Arlinda Zekajt, Gërvalla e Sveçla, nesër mbajnë konferencë për media

Aktuale October 29, 2026 - 18:09

Zyra e Kryeministrit Albin Kurti ka pranuar raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme lidhur me rastin e Arlinda Zekajt, raporton Ekonomia Online.

Sipas njoftimit të ZKM-së, raportet do të shqyrtohen dhe analizohen në detaje, me fokus në rrjedhën e rastit, lëshimet e mundshme dhe përgjegjësinë institucionale.

“Zyra e Kryeministrit sapo pranoi raportet e hollësishme nga Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme në lidhje me rastin e Arlinda Zekajt”, thuhet në njoftim.

ZKM-ja ka bërë të ditur se gjatë shqyrtimit do të trajtohen historia dhe rrjedha e rastit, si dhe çdo lëshim apo trajtim i papërgjegjshëm, neglizhencë dhe mosreagim i mundshëm.

“Do të bëhet shqyrtimi dhe analizimi i tyre në detaje, për historinë dhe rrjedhën e rastit, për secilin lëshim e trajtim të papërgjegjshëm, për neglizhencë e mosreagim, si dhe gjithçka që lidhet me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale”, thuhet tutje në njoftim.

Lidhur me raportet dhe veprimet e mëtejshme, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla-Schwarz, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media. Konferenca është paralajmëruar për nesër, në orën 09:00, në ndërtesën e Zyrës së Kryeministrit.