Ish-deputeti serb kërkon dorëheqjen e Petar Petkoviqit dhe hetim për paratë e destinuara për serbët në Kosovë

Ish-deputeti serb kërkon dorëheqjen e Petar Petkoviqit dhe hetim për paratë e destinuara për serbët në Kosovë

Aktuale October 29, 2026 - 19:57

Ish-deputeti i Parlamentit të Serbisë dhe themeluesi i Aleancës për Kosovën, Zharko Ristiq, i ka kërkuar drejtorit të ashtuquajtur Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, të japë dorëheqje dhe të bëjë publike mënyrën se si janë shpenzuar paratë e destinuara për popullin serb në Kosovë.

Ristiq ka deklaruar se politika e përfaqësuar nga Petkoviqi i ka shkaktuar dëme serioze popullit serb dhe se drejtori i Zyrës për Kosovën duhet të mbajë përgjegjësi politike për rezultatet e saj.

“Mjaft me justifikime. Çfarë premtuat, çfarë arritët dhe çfarë mori populli nga politika që përfaqësoni? Nuk mund të kërkoni besimin e popullit dhe të refuzoni përgjegjësinë për vendimet dhe rezultatet tuaja”, ka deklaruar Ristiq.

Ai ka theksuar se dorëheqja e Petkoviqit nuk duhet të jetë fundi i çështjes, duke kërkuar gjithashtu verifikimin e mënyrës se si janë shpenzuar fondet e destinuara për serbët në Kosovë.

Ristiq ka thënë se këtë çështje e kishte ngritur edhe gjatë kohës kur ishte pjesë e Komisionit Parlamentar për Kosovën dhe Metohinë, ndërsa tani kërkon shqyrtimin e financimit të projekteve të kontestuara dhe përcaktimin e përgjegjësisë për keqpërdorime të mundshme.

Ai i ka bërë thirrje prokurorisë kompetente që të hetojë dyshimet për financimin e dyfishtë të projekteve të njëjta, si dhe pagesat për projekte që, sipas tij, ekzistojnë vetëm në dokumentacion.

Ish-deputeti ka kërkuar që të shqyrtohet në mënyrë të veçantë roli i Petkoviqit në miratimin e financimeve, përfshirë vendimet e marra, dokumentet e nënshkruara dhe mekanizmat e kontrollit të shpenzimeve.

“Është e nevojshme të kontrollohen kontratat, pagesat, raportet mbi zbatimin dhe situata aktuale në terren. Për çdo projekt të diskutueshëm, duhet të përcaktohet se sa para janë ndarë, kujt i janë paguar dhe çfarë është bërë me ato para”, ka thënë Ristiq.

Sipas tij, nëse vërtetohet se i njëjti projekt është paguar më shumë se një herë ose se janë dhënë para për punë që nuk janë kryer, duhet të përcaktohet përgjegjësia e të gjithë personave të përfshirë, pavarësisht emrit apo pozitës së tyre.

“Paratë e destinuara për mbijetesën e popullit tonë në Republikën e Kosovës nuk janë fond privat i askujt. Çdo dinar duhet të ketë një gjurmë, çdo projekt një rezultat dhe çdo keqpërdorim përgjegjës”, ka deklaruar ai.

Ristiq ka përfunduar duke kërkuar dorëheqjen e Petkoviqit, publikimin e dokumentacionit për projektet e kontestuara dhe ndërmarrjen e veprimeve nga prokuroria.

Ai ka theksuar se përgjegjësia politike dhe ajo penale janë çështje të ndara, duke shtuar se dorëheqja nuk e përjashton përgjegjësinë penale nëse vërtetohet shkelje e ligjit.