Ambasadori britanik në Beograd: Me udhëheqjen e re serbe do të flasim për normalizimin me Kosovën, por s’ka pse të ndodh menjëherë
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Beograd, Edward Ferguson tha se mirëpret deklaratat e para të përfaqësuesve të Listës Studentore që fitoi zgjedhjet parlamentare në Serbi.
Ferguson tha se i ka bërë përshtypje deklarata për dëshirën e përfaqësuesve të rinj për “të punuar në përmirësimin e marrëdhënieve të Serbisë me fqinjtë e saj”.
“Kjo është shumë e mirëpritur, veçanërisht në një moment kur marrëdhëniet me disa vende fqinje nuk janë në nivelin që do të dëshironim”, tha ai në një intervistë për gazetën serbe, Politika.
Ambasadori britanik tha se është e drejtë që prioritet i udhëheqjes së re serbe të jetë politika e brendshme.
Por, në një moment, Ferguson tha se ata duhet të flasin për tema komplekse si Kosova, pë të cilën MB dhe Serbia s’ndajnë qëndrimet e njëjta.
“Është plotësisht e qartë se nuk do të pajtohemi për çdo çështje në fushën e politikës së jashtme. Në një moment do të na duhet të bisedojmë për tema më komplekse – si normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, marrëdhëniet e Serbisë me Bashkimin Europian dhe Rusinë, si dhe çështje të tjera. Kjo nuk ka pse të ndodhë menjëherë, por është e rëndësishme të sigurojmë mekanizma dhe struktura efikase që do të na mundësojnë të zhvillojmë bisedime të pjekura, të bazuara në respektin e ndërsjellë”, tha ai.
Ferguson tha se “një nga gjërat që do të doja të nisja në fazën e hershme të bashkëpunimit me qeverinë e re është organizimi i një dialogu strategjik ndërmjet Mbretërisë së Bashkuar dhe Serbisë”.
“Kjo është diçka që e kishim planifikuar, por e shtymë gjatë fushatës parazgjedhore. Prandaj, konsideroj se kjo është një mundësi e mirë që në fazën e hershme të mandatit të qeverisë së re të zhvillojmë bisedime të nivelit të lartë”, tha ai./express