Deputeti i PDK-së paralajmëron inicimin e procedurave për shkarkimin e kryetares së Autoritetit të Konkurrencës
Kryesuesi i Komisionit për Ekonomi, Industri, Tregti, Ndërmarrësi dhe Inovacion, Arben Mustafa, ka kritikuar deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke i akuzuar se po e bllokojnë raportimin e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës në Komisionin Parlamentar.
Pas dështimit të mbajtjes së mbledhjes, për shkak të debateve rreth rendit të ditës, Mustafa tha se pengimi i raportimit po pamundëson trajtimin e parregullsive që, sipas tij, janë duke ndodhur në këtë institucion.
“Jemi këtu edhe pas një dështimi tjetër të mbledhjes së Komisionit për Ekonomi, Industri, Tregti, Ndërmarrësi dhe Inovacion. Dhe ky dështim i mbledhjeve po më dhëmb për shkak se shumica e deputetëve të këtij komisioni, që vijnë nga Lëvizja Vetëvendosje, po e bllokojnë raportimin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës. Kemi raportuar edhe javët e kaluara për problemet në këtë institucion. Ekziston një paligjshmëri, ekziston një anarki aq e madhe në këtë institucion, që është e pabesueshme që të ndodhë në Kosovën e vitit 2026”, tha Mustafa në një konferencë për media.
Ai ngriti shqetësime edhe për funksionimin e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës, duke pretenduar se tre anëtarët e zgjedhur të tij nuk kanë mbajtur mbledhje që nga maji i vitit 2025.
“Kemi tre anëtarë të zgjedhur të këtij komisioni, por që nga maji i vitit 2025 nuk kanë mbajtur as edhe një mbledhje, për shkak se kryetarja e këtij komisioni, zonja Binaku-Isufi, nuk i thërret anëtarët e tjerë në mbledhje të komisionit. Dhe përderisa komisioni i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës është jofunksional, gjatë kësaj periudhe kryetarja e këtij komisioni ka përvetësuar kompetencat e komisionit që është organ kolegjial. Vendimet që do të duhej t’i merrte ky komision po i merr individualisht kryetarja e këtij komisioni, duke lejuar tetë përqendrime të tregut të nënshkruara vetëm nga ajo gjatë kohës kur e ka bllokuar funksionimin e komisionit. Për më tepër, janë futur mbi 60 kërkesa të përqendrimit të tregut që po aprovohen në heshtje nga ky komision për shkak të mosfunksionimit të këtij trupi kryesor vendimmarrës të Autoritetit të Konkurrencës. Dhe këto pasoja reflektojnë çdo ditë në ekonominë e vendit dhe te qytetarët përmes çmimeve të ndryshme”, u shpreh ai.
Mustafa foli edhe për drejtorin e Autoritetit të Konkurrencës, për të cilin pretendoi se ka dy aktakuza dhe vazhdon të ushtrojë detyrën.
“Po ashtu, në këtë komision kemi një drejtor të Autoritetit të Konkurrencës me dy aktakuza, që vazhdon punën normalisht, kundër vendimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, për trajtimin e kësaj kërkese në Autoritetin e Konkurrencës. Pra, duke mos ftuar mbledhje të komisionit, po i mundësohet një drejtori me dy aktakuza të vazhdojë punën normalisht pa u pezulluar”, deklaroi Mustafa.
Ai tha se kryetarja e Komisionit të Autoritetit të Konkurrencës është ftuar tri herë për raportim, por ka refuzuar të paraqitet para deputetëve.
“Për këtë çështje, ne e kemi ftuar në raportim Autoritetin e Konkurrencës. Kryetarja e këtij komisioni është ftuar për tri herë të raportojë, por refuzon raportimin në komisionin e këtij Kuvendi, i cili edhe e ka zgjedhur. Sot, duke pritur për të raportuar, dy anëtarët e tjerë të këtij komisioni ishin prezent, mirëpo raportimi i tyre u pamundësua nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilëve po u pengon raportimi për parregullsinë dhe paligjshmërinë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës”, shtoi ai.
Mustafa u bëri thirrje organeve të Prokurorisë që të hetojnë pretendimet për parregullsi në këtë institucion, ndërsa paralajmëroi nisjen e procedurave për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, Binaku-Isufi.
“Nga këtu, i bëj thirrje edhe organeve të Prokurorisë që të hetojnë me seriozitetin më të madh raportimet e sinjalizuesve të ndryshëm që kanë ardhur edhe në Kuvendin e Kosovës, për paligjshmërinë që po mbizotërojnë në Autoritetin e Konkurrencës. Dhe, me këtë rast, ju njoftoj se sot iniciojnë procedurat për shkarkimin e kryetares së Komisionit të Konkurrencës, zonjës Binaku-Isufi, e cila ka uzurpuar këtë komision, duke mos mundësuar funksionimin e tij dhe, në anën tjetër, dyshuar për veprime të paligjshme, dhe mbi të gjitha refuzon raportimin në komisionin përkatës. Pra, ju njoftoj se sot do të iniciojnë procedurat për shkarkimin e saj nga kjo pozitë”, potencoi Mustafa. /eo