AGK-ja mirëpret aktakuzën e re për sulmet ndaj gazetarëve në veri në vitin 2023
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka mirëprritur ngritjen e aktakuzës kundër A.S për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Aktakuza lidhet me ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan dhe sipas komunikatës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i dyshuari akuzohet edhe për sulmet ndaj gazetarëve atë ditë.
“A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri. Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda. Gjatë këtij sulmi po ashtu, janë sulmuar edhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në një komunikatë, transmeton "Zëri".
Sipas të dhënave të AGK-së, në një periudhë prej 5 javësh gjatë tensioneve në maj-qershor 2023, janë shënuar 35 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë sulme fizike.
AGK-ja angazhohet që sistemi i drejtësisë të mbajë përgjegjës të gjithë kryerësit e këtyre sulmeve, që penguan punën e mediave dhe gazetarëve në këtë periudhë.