Ministria e Mbrojtjes: Një pjesëtar i FSK-së është lënduar lehtë gjatë trajnimit
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) është lënduar lehtë gjatë një trajnimi. Sipas njoftimit, rasti ka ndodhur më herët në njërin nga poligonet e FSK-së.
“Sa i përket njoftimeve nga mediat lidhur me lëndimin e lehtë të një pjesëtari të FSK-së, gjatë trajnimit ju informojmë që rasti ka ndodhur më herët në një nga poligonet e FSK-së”, thuhet në njoftim.
Sipas Ministrisë, FSK-ja gjatë trajnimeve me municione përballet me rrezikshmëri të lartë, por merr paraprakisht masat e nevojshme parandaluese për menaxhimin e rrezikut, përfshirë pajisjet individuale dhe kolektive për mbrojtjen e personelit.
Po ashtu, Ministria bën të ditur se në çdo aktivitet të FSK-së janë të pranishme ekipet mjekësore për evakuim të mundshëm, ndërsa masat e sigurisë janë në përputhje me standardet e FSK-së dhe NATO-s.
“FSK është e vetëdijshme që profesioni ushtarak përbën në vete një rrezikshmëri të lartë, në përmbushje të misionit kushtetues dhe ligjor, megjithatë në relacion me nivelin e aktiviteteve, numri i aksidenteve mbetet i vogël për shkak të masave të sigurisë në menaxhimin e rrezikut”, thuhet më tej në njoftim.
Ministria thekson se FSK-ja mbetet e përkushtuar për rritjen e vazhdueshme të sigurisë dhe ruajtjen e personelit.