Protestojnë punëtorët e KEK-ut, kërkojnë rritje pagash dhe të 13-tën
Ka nisur protesta e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), e organizuar nga Sindikata e Re e KEK-ut, para zyrave të menaxhmentit dhe Bordit Drejtues të Korporatës në Prishtinë.
Punëtorët kanë dalë në protestë për të kërkuar paga më të dinjitetshme, nivelizim të pagave dhe ekzekutimin e pagës së 13-të për vitin 2026.
Ndër kërkesat e tyre janë edhe përmirësimi i kushteve të punës dhe vlerësimi i rrezikshmërisë në vendet e punës.
Sindikata ka theksuar se punëtorët përballen çdo ditë me kushte të vështira dhe rreziqe gjatë punës në miniera dhe termocentrale.
Kryetari i Sindikatës së re të KEK-ut Xhelal Jashari tha u shpreh se punëtorët teknikë kërkojnë paga më të dinjitetshme dhe
“Sot, kjo protestë është thirrur me qëllimin e vetëm për plotësimin e dy kërkesave: kërkesa e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës për ngritjen e pagave, nivelizimin e tyre dhe pagën e 13-të. Siç e dini, edhe vitin e kaluar është ndarë paga e 13-të, por padrejtësisht, mjetet e Korporatës Energjetike të Kosovës iu janë dhënë sektorëve të tjerë, kurse sektorët e punëtorëve që mbajnë gjallë dritën, energjinë dhe ekonominë e Kosovës, nuk i kanë marrë këto mjete. Kjo është një padrejtësi dhe një nënçmim për punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës, andaj edhe sivjet. Ne i kemi ngritur me kohë shqetësimet, kemi bërë kërkesa të vazhdueshme. Kërkesat e fundit me datë 19.09 dhe 19.10 që kanë kaluar, menaxhmenti nuk i është përgjigjur. Prapë kemi bërë kërkesa, prapë nuk është përgjigjur. Porsa e kemi lajmëruar protestën, me vullnetin dhe dëshirën e punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës, menjëherë janë lajmëruar dhe kemi mbajtur takime nga ora 6:00 e mbrëmjes deri diku në mesnatë, pa asnjë rezultat dhe pa asnjë reflektim nga menaxhmenti dhe bordi. Ju lutem, ky mosreflektim dhe ky mosdisponim për me i shqyrtuar punëtorët shumica e të cilëve kanë sëmundje profesionale që i marrin në Korporatën Energjetike të Kosovës dhe kalojnë më shumë kohë atje sesa në familjet e tyre është një përbuzje, një nënçmim dhe një mosrespektim nga menaxhmenti dhe bordi”, tha ai.
Ndërsa, nënkryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, tha se punëtorët janë të pakënaqur me kushtet e punës.
“Po ku mos me qenë të pakënaqur ku dëgjojmë për rialokimin e buxhetit për 120 milionë euro, e që ndër to merren 30 milionë euro nga ndërmarrjet, çfarë kuptimi ka me na i marrë paret neve, me ua dhënë të tjerëve, a shtëpisë të vet jo. Ne nuk jemi pse po iu jep paga të 13-ta sektorit publik, sepse edhe ata meritojnë, sepse edhe ata kanë inflacion. Po problemi është te punëtorët e korporatës energjetike të Kosovës, që vdesin duke punuar. Vetëm në vitin 2026 kemi 17 të vdekur, 4 aksidentalisht e 13 që ne dyshojmë që vdesin nga sëmundjet profesionale që i marrim gjatë procesit të punës, ne punojmë në rrezikshmëri, por rrezikshmëria s'ju paguhet punëtorëve të KEK-ut. Ne kemi bërë kërkesë tek menaxhmenti i KEK-ut që nga fillimi vitit, që nga maji kur është ngritur paga për 60 euro asnjë takim më nuk ka qenë, sepse ne kemi shkruar letra, kemi shterrë mundësi administrative, por ata nuk na kanë thirrur”, tha Llumnica
Kurse, kryetari i Sindikatës së Administratës Publike, Ali Gashi, tregoi sfidat për punëtorët e KEK-ut.
“Sot nuk kam ardhur vetëm të shprehë solidaritet, kam ardhur për të ngritur zërin bashkë me ju, për punën tuaj, për sakrificën tuaj, padrejtësisë me të cilat përballeni çdo ditë ju. Të dashur kolegë punëtorë, a e dini kush çfarë do të thotë të punosh në KEK, a e din kush sa mund dhe sa sakrificë fshihet pas çdo megavati energji që prodhoni ju, ju punoni në kushte të rënda, temperatura ekstreme, në pluhur dhe zhurëm, në ambiente të vështira dhe shpeshherë të rrezikshme”, tha Gashi.