Ishte caktuar për nesër, ministri Vitia e anulon takimin me mjekët e rinj
Foto: Laura Hasani

Ishte caktuar për nesër, ministri Vitia e anulon takimin me mjekët e rinj

Aktuale November 12, 2026 - 20:36

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia e ka anuluar një takim që e kishte caktuar për të premten, me përfaqësues të mjekëve të rinj.

Pas shumë kërkesave e presioneve mediale, ky takim ishte caktuar për 13 nëntor, megjithatë pak para se të vijë kjo datë, sipas burimeve të Klan Kosova, ky takim është anuluar nga dikasteri që e udhëheq Vitia.

Si arsye e anulimit të këtij takimi është përmendur agjenda e ngjeshur e ministrit, si dhe është thënë se Vitia tashmë ka zhvilluar takime me përfaqësues të Parlamentit Studentor dhe të Këshillit Studentor të Fakultetit të Mjekësisë, ku siç është thënë, do të merren në konsideratë kërkesat e tyre.

Ndryshe, për këtë takim, para disa ditësh kishte raportuar edhe Klan Kosova.

Në kronikën e realizuar nga gazetarja Arbreshë Uka, studentët në prag të diplomimit kishin shprehur kërkesat e tyre që lidhen me stazhin profesional pas studimeve që e duan me pagesë sa rroga minimale në sektorin publik.

Gjithashtu, ata kishin kërkuar edhe hapjen e konkurseve të rregullta të specializimit dhe me vlerësim transparent për secilin kriter si dhe një strategji kombëtare për punësim si mjek të rinj në kujdesin parësor.