KFOR-i përfundon ushtrimin, ku u testuan teknikat për kontrollin e turmave dhe trazirave

KFOR-i përfundon ushtrimin, ku u testuan teknikat për kontrollin e turmave dhe trazirave

Aktuale November 13, 2026 - 10:20

KFOR-i ka përfunduar me sukses ushtrimin “Kelly’s Heroes 2026”, i cili është mbajtur në kampin “Kelly”, me pjesëmarrjen e pjesëtarëve të kontingjenteve të Gjermanisë, Hungarisë, Italisë dhe Rumanisë, si dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).

Sipas njoftimit të KFOR-it, ushtrimi kishte për qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve pjesëmarrëse, përmirësimin e ndërveprueshmërisë dhe harmonizimin e procedurave të përbashkëta në situata të ndërlikuara të sigurisë, transmeton Zeri.info.

Gjatë ushtrimit janë zhvilluar aktivitete për kontrollin e turmave dhe menaxhimin e trazirave, si në terren, ashtu edhe nga ajri.

Pjesëmarrësit kanë praktikuar formacione të koordinuara, teknika të përdorimit të mburojave, transportin ajror, si dhe përdorimin e topave të ujit dhe pajisjeve të specializuara jovdekjeprurëse për kontrollin e turmave.

Në ushtrim janë përfshirë gjithashtu teknologji moderne, përfshirë dronët dhe sistemet kundër dronëve, me qëllim testimin e aftësisë së misionit për të vepruar në skenarë kompleksë dhe sfidues.

Komandantët kanë vlerësuar profesionalizmin, vetëdijen për situatën dhe frymën ekipore të treguar nga njësitë pjesëmarrëse.

Sipas KFOR-it, përfundimi i suksesshëm i këtij ushtrimi dëshmon përkushtimin e misionit për të ruajtur një nivel të lartë të gatishmërisë operacionale dhe për të siguruar koordinim efektiv ndërmjet pjesëtarëve të tij, të kontribuuar nga më shumë se 30 shtete, duke përfshirë aleatët dhe partnerët e NATO-s.

Në fund, KFOR-i ka theksuar se mbetet garantues i qëndrueshmërisë në Kosovë, duke vazhduar kontributin për një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. /Zëri