Islami: Lista Studentore, në vazhdën e politikës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës
Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, është shprehur se takimi i përfaqësuesve të Listës Studentore, Dejan Shoshkiq dhe Miodrag Kërmar, me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, dëshmon orientimin politik të kësaj liste drejt vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse.
Përmes një postimi në Facebook, Islami u shpreh se ky takim sinjalizon se, në raport me Kosovën, Lista Studentore nuk paraqet ndryshim të orientimit politik të deritanishëm të Serbisë, por vazhdimësi të qëndrimeve kundërshtuese ndaj shtetësisë së Kosovës dhe mbështetje në aleancën me Rusinë.
Postimi i plotë:
Takimi i përfaqësuesve të Listës Studentore, Dejan Shoshkiq dhe Miodrag Kërmar, me ambasadorin rus në Serbi, Aleksandar Bocan-Harçenko, dëshmon orientimin politik të kësaj liste drejt vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë me Federatën Ruse, veçanërisht në raport me çështjen e Kosovës. Gjatë takimit u riafirmua mbështetja ruse për politikën e Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e Listës Studentore u zotuan se Serbia, edhe nën qeverisjen e tyre, nuk do t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë.
Nga aspekti i sigurisë së Kosovës, shqetësues është fakti se Lista Studentore konfirmon vazhdimësinë e politikës së Beogradit kundër sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në përkrahjen diplomatike të Moskës.
Kjo marrëdhënie krijon hapësirë për koordinim të mëtejshëm ruso-serb në platformat ndërkombëtare, me synim kundërshtimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës dhe pengimin e konsolidimit të pozitës së saj ndërkombëtare.
Ky takim sinjalizon se, në raport me Kosovën, Lista Studentore nuk paraqet ndryshim të orientimit politik të deritanishëm të Serbisë, por vazhdimësi të qëndrimeve kundërshtuese ndaj shtetësisë së Kosovës dhe mbështetje në aleancën me Rusinë.
Për rrjedhojë, ky orientim mbetet një faktor me rëndësi për vlerësimin e mjedisit të sigurisë në Kosovë dhe të zhvillimeve të sigurisë në Ballkanin Perëndimor. /Zëri