Një ditë para aktgjykimit në Hagë, familjarët e të akuzuarve presin vendim lirues
Nesër në ora 10:00 në Hagë do të shpallet aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në rastin për pengim të drejtësisë. Një ditë para vendimit, familjarët presin vendim lirues.
Të martën, sytë e të gjithë shqiptarëve, edhe një herë do të drejtohen në Hagë.
Kjo pasi me 17 nëntor, është caktuar seanca për shpalljen e aktgjykimit në rastin e administrimit të drejtësisë.
Në bankën e të akuzuarve, edhe një herë është ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
E bashkë me të në këtë rast, të akuzuar janë edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Hajredin Kuqit dhe Fadil Fazliut.
E një ditë para vendimit, djali i këtij të fundit, e mori rrugën për në Holandë.
Nga Haga, Fahri Fazilu, thotë se pret aktgjykimi lirues.
“Ne si familje, po besoj edhe shpresoj edhe si Kosovë dhe si Shqiptari, presim, një vendim të pafajësinë të gjithë, të shpallet nesër nga dhomat e specializuar të Hagës, që janë këtu në Hagë. Siç edhe prej ditës së parë që u arrestu, kemi thënë që është një padrejtësi e madhe që është bërë ndaj tyre, edhe ndaj atyre që janë aty brenda. Dhe kërkojmë që nesër drejtësia të jetë tamon drejtësi dhe të shpallet të gjithë të akuzuarit të pafajësinë”, ka thënë Fazliu.
Por, si është morali i të akuzuarve, një ditë para shpalljes së aktgjykimit?
“Shumë mirë është duke e përjetu, shumë krenar është, dhe është faqebardhë si gjithmonë. Tash edhe më herët kemi mbërritur në Hagë, dhe tash jemi duke u vendosur në hotele, kështu që por është krenar, faqebardhë, si gjithmonë, pret lirinë e tij dhe të gjithë të tjerëve”, u shpreh tutje Fazliu.
Djali i ish-ushtarit të UCK-së, Fadil Fazliu, thotë se Specialja ia ndaloi për mbi 1 vit, ta takonte babain.
Prandaj e gjithë kjo kohë, nuk ishte e lehtë për familjen llapjane që i dha shumë Kosovës.
“Po për mua ka ndikuar edhe si familje, po personalisht për mua, sepse unë s’kam mundur, e kam pasur të ndaluar 14 muaj, mos ta shoh babain tim, as mos të vijë në vizita ta takoj , as mos të shoh në videolink, e kam pasur të ndaluar, të ndaluar nga Haga”, tha Fazliu.
Ndryshe, sipas njoftimit zyrtar, seanca do të fillojë të martën në orën 10:00 dhe kërkohet të jenë të pranishëm fizikisht në seancë edhe të akuzuarit. /tëvë1