Nagavci: Kuvendi miratoi në lexim të parë Buxhetin 2027 prej 4.27 miliardë eurosh
Foto: Facebook

Nagavci: Kuvendi miratoi në lexim të parë Buxhetin 2027 prej 4.27 miliardë eurosh

Aktuale November 20, 2026 - 13:44

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka njoftuar për vendimet e marra në seancën e djeshme të Kuvendit të Kosovës.

Ajo ka bërë të ditur se në lexim të parë është miratuar Projektligji për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2027, në vlerë prej 4 miliardë e 270 milionë eurosh. Sipas Nagavcit, ky është buxheti më i madh i miratuar ndonjëherë.

Nagavci shtoi se në të njëjtën seancë janë miratuar edhe tri projektligje për ratifikimin e marrëveshjeve dhe konventave ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Njohjen dhe Ekzekutimin e Vendimeve të Huaja në Çështje Civile apo Tregtare, Protokollin për Ndryshimin e Marrëveshjes mbi Statusin dhe Funksionet e Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur dhe Konventën për Marrëveshjet për Zgjedhjen e Gjykatës.

Poashtu tha se Kuvendi ka miratuar gjithashtu vendimin e Qeverisë për masat emergjente për furnizimin me energji elektrike, si dhe projektligjet për Rregullatorin e Energjisë, Efiçiencën e Energjisë dhe Inspektoratin Qendror të Trashëgimisë Kulturore.