Panairi i Hanoverit me shumë risi në industrinë teknologjike

Panairi i Hanoverit me shumë risi në industrinë teknologjike

Auto&Tech March 07, 2024 - 17:15

Më 21 Shkurt në hapësirat e organizatorit më të madh të panaireve në Gjermani, Deutsche Messe, u mbajt eventi global Hannover Messe Press Preview.

Në këtë event ndërkombëtar, ekspozuesit e pranishëm kishin mundësinë e gjenerimit të mbulimit medial vendor dhe ndërkombëtar, dy muaj para fillimit të panairit më të madh industrial në botë Hannover Messe i cili do të mbahet në muajin Prill, po ashtu në Hanover.

Në anën tjetër, rreth 200 gazetarë nga medie të shumtë nga bota, në mesin e të cilëve edhe rtk patën mundësinë e diskutimeve të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e industrisë, organizatorët dhe  pjesëmarrësit e tjerë në këtë event, lidhur me produktet dhe teknologjitë e reja si dhe  trendet që do ta dominojnë edicionin e sivjem të panairit Hanover Messe.

Kompanitë pjesëmarrëse në këtë event njëditor ishin të shumta, përfshirë këtu Ai-omatic solutions, Beckhoff, DECT Forum, Emerson, exoIQ, Festo, Fraunhofer, Igus, Institutin e Karlsruhes per teknologji KIT, Schneider electric, Techno Robotics, Ziehl-Abegg e të tjera. Vend partner i edicionit të sivjem të panairit Hannover Messe është Norvegjia, vend ky i njohur për zhvillime të hovshme në fushën e inovacioneve teknologjike.

Nga 22  deri më 26 prill të këtij viti në Hanover do të mbahet panairi më i madh dhe më i rëndësishëm  industrial në botë “Hsnnover Messe 2024”. Kompani nga inxhinieria mekanike, industria elektrike dhe dixhitale si dhe fusha e energjisë do të prezantojnë  zgjidhje innovative për një industri me performancë të lartë dhe të qëndrueshme. Temat që do të dominojnë panairin Hannover Messe sivjet do të jenë: Prodhimi dhe automatizimi industrial, digjitalizimi, zgjidhjet energjetike, materialet dhe komponentët innovative, kërkimet dhe zhvillimet si dhe displayët specialë. 

Norvegjia është vendi partner i panairit Hannover Messe për vitin  2024. Ky vend i cili kryeson në tranzicicionin e industrisë së gjelbër do të prezantojë produkte dhe zgjidhje nga industritë më të avancuara, duke përfshirë hidrogjenin, bateritë dhe Intelegjencen Artificiale. Ministri i Tregtisë dhe Industrisë se Norvegjiste Jan Christian Vestre deklaroi se vendi i tij është i nderuar të jetë partner i këtij eventi ndërkombëtar.

‘Forca shumë e aftë punëtore, industria dhe teknologjia e avancuar energjetike, si dhe shkalla e lartë e sigurisë dhe stabilitetit në vend, na bëjnë një partner kyç në ndryshimin e gjelbër dhe një nga vendet më tërheqëse në botë për biznes. Ne jemi të emocionuar të prezantojmë mënyrën norvegjeze të të bërit biznes dhe të nxjerrim në pah atë që Norvegjia ka për të ofruar para botës, theksoi ndër tjerash ministri i Tregtisë dhe Industrisë i Norvegjise, Jan Christian Vestre.

Ai vlerësoi se Norvegjia dhe Gjermania janë partnerë kryesorë tregtarë dhe këto dy vende kanë hyrë në një partneritet strategjik industrial për energjinë e rinovueshme dhe industrinë e gjelbër.

Shtimi i konkurrencës, mbrojtja e klimës, promovimi i prosperitetit- këto janë detyrat kryesore me të cilat përballet industria sot. Teknologjitë inovative janë çelësi për të zotëruar dhe tejkaluar këto sfida. Por si mund të përdorin kompanitë me efikasitet automatizimin, inteligjencën artificiale, energjitë e rinovueshme dhe hidrogjenin në këtë drejtim? Dhe çfarë hapash mund të ndërmerren për të kundërshtuar de-industrializimin e afërt të Evropës? Hannover Messe 2024 synon që të do të japë përgjigje për këto dhe shumë tema të tjera.

Dr. Jochen Köckler, Kryeshef Ekzekutiv  i Deutsche Messe AG, që është organizatori më i madh i panaireve në Gjermani, duke përshkruar mjedisin në të cilin zhvillohet Hannover Messe i këtij viti, tha se tensionet gjeopolitike, ndryshimet klimatike, rritja e stagnuar, çmimet e larta të energjisë si dhe mungesa e punëtorëve të kualifikuar nënkuptojnë se disiplina e kostos dhe efikasiteti janë aktualisht temat mbizotëruese në një kompani. Ai tha se në të njëjtën kohë, inteligjenca artificiale po çon në ndryshime të thella në botën e punës në industri. Përveç kësaj, liderët e biznesit dhe shoqatat tregtare po paralajmërojnë për një de-industrializim të Evropës, vuri ne dukje Kockler.

“Hannover Messe sivjet është më i rëndësishëm se kurrë më parë, sepse mjedisi ekonomik rrallëherë ka qenë kaq i paqëndrueshëm. Në Hannover, teknologjitë dhe zgjidhjet do të prezantohen për t’i mundësuar industrisë të prodhojë mbi një bazë konkurruese dhe të qëndrueshme. Panairi do të jetë në tërësi i dedikuar prodhimit inteligjent dhe neutral ndaj karbonit, inteligjencës artificiale, hidrogjenit dhe zgjidhjeve të energjisë ndërsektorale. Për kompanitë evropiane në veçanti, ky panair do të krijojë kështu një mburojë kundër de-industrializimit të afërt të Evropës”, thotë Köckler. Ai tha poshtu se ekspozuesit do të tregojnë se prodhimi industrial konkurrues është i mundur në Evropë, megjithese siç tha ai kjo do të kërkojë një kuadër rregullator që promovon inovacionin dhe ndërmarrësinë.

Kompanitë ekspozuese në edicion i këtij viti të panairit Hannover Messe përfshijnë gjigantë të teknologjisë globale si Accenture, AËS, Bosch, DELL Technologies, Google, Microsoft, SAP, ServiceNoë, Schneider Electric si dhe kompani te tjera dhe mbi 300 startupe industriale.

Për më shumë se një dekadë, panairi Hannover Messe është panairi më i rëndësishëm tregtar për digjitalizimin e industrisë. Inteligjenca artificiale tani po e çon dixhitalizimin industrial në një nivel tjetër, duke revolucionarizuar industrinë, duke i bërë proceset më efikase dhe duke shtuar vlerë. Duke përdorur inteligjencën artificiale, kompanitë do të jenë në gjendje të shkurtojnë kohën e zhvillimit duke kursyer burime dhe energji. “Shpejtësia me të cilën zgjidhjet e AI po gjejnë rrugën e tyre në industri është befasuese. Kompanitë duhet të investojnë tani dhe mbi të gjitha t’i njohin punonjësit e tyre me mundësitë që ofron AI, përndryshe ata do të mbeten prapa nga konkurrenca”,  thanë mes tjerash drejtuesit e këtij panairi.

Po ashtu, në panairi do të shfaqen edhe robotë që mund të kontrollohen me zë, makina që njohin automatikisht defektet ose sisteme që shkurtojnë kohën e ndërprerjes së punës  nëpërmjet mirëmbajtjes parashikuese. Në të ardhmen e afërt, AI gjenerative do të jetë në gjendje të projektojë makina. Kjo do të çojë në ndryshime thelbësore në profilet e punës së inxhinierëve – një temë që do të diskutohet gjithashtu në panairin që do të mbahet në Hanoveri në muajin Prill.