Kina nuk do largimin e teknologjisë drejt SHBA-së

Kina nuk do largimin e teknologjisë drejt SHBA-së

Auto&Tech April 30, 2026 - 08:09

Kina bllokoi blerjen e planifikuar të startup-it të inteligjencës artificiale Manus nga kompania amerikane Meta. Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e sigurisë së investimeve të huaja e ndaloi marrëveshjen dhe u kërkoi palëve ta anulojnë transaksionin, njoftoi Komisioni Kombëtar për Zhvillimin dhe Reformat.

Ky vendim nxjerr në pah përpjekjet e Republikës Popullore të Kinës për të parandaluar largimin e talenteve dhe teknologjisë drejt SHBA-së. Të dy vendet janë në garë për udhëheqje në teknologjinë e së ardhmes, inteligjencën artificiale.

Drejtuesit nuk duhet të largohen nga Kina

Meta, kompania mëmë e platformave sociale si Facebook, WhatsApp dhe Instagram, kishte njoftuar në dhjetor blerjen e startup-it Manus. Çmimi i blerjes pritej të ishte mbi dy miliardë dollarë.Pekini e sheh këtë çështje të ndjeshme nga pikëpamja e sigurisë. Sipas raportimeve, gjatë shqyrtimit të ofertës disa drejtues kryesorë të kompanisë u penguan përkohësisht të largoheshin nga Kina. Ndër ta ishte edhe bashkëthemeluesi Xiao Hong.

Selia e kompanisë zhvendoset në Singapor

Startup-i Manus konsiderohet si specialist në të ashtuquajturit "agjentë të inteligjencës artificiale”. Këto programe nuk kufizohen vetëm në përgjigjen e pyetjeve, por mund të kryejnë edhe detyra më komplekse me ndërhyrje minimale njerëzore.

Zanafilla e kompanisë ishte në Kinë, por më vonë ajo e zhvendosi selinë e saj në Singapor. Nga mediat shtetërore ajo konsiderohet si "DeepSeek i ardhshëm”. Kompania kineze e softuerit DeepSeek tërhoqi vëmendje në mbarë botën në fillim të vitit 2025 pas publikimit të një sistemi të fuqishëm të inteligjencës artificiale. /DW