“Apple” kalon vlerën e pesë trilionë dollarëve në bursë

“Apple” kalon vlerën e pesë trilionë dollarëve në bursë

Auto&Tech July 29, 2026 - 10:24

“Apple” u bë sot kompania e dytë në histori që kalon pragun e pesë trilionë dollarëve në kapitalizimin e tregut.

Ky nivel u arrit pasi aksionet e gjigantit amerikan u rritën përkohësisht me gati 2%, duke shënuar një rekord prej 342, 89 dollarësh për aksion.

Më pas, çmimi i aksioneve ra lehtë, duke e zbritur vlerën e tregut pak nën 5,0 trilionë dollarë. Megjithatë, “Apple” mbetet kompania më e vlefshme në bursën amerikane, duke lënë pas prodhuesin e çipave “Nvidia”.

Deri tani, “Nvidia” ishte e vetmja kompani që kishte kaluar këtë kufi historik, duke arritur në mesin e muajit maj një vlerë maksimale prej rreth 5.7 trilionë dollarësh, falë entuziazmit për inteligjencën artificiale.

Megjithatë, javët e fundit aksionet e shumë kompanive të lidhura me inteligjencën artificiale kanë pësuar rënie, pasi investitorët kanë shfaqur dyshime mbi qëndrueshmërinë e investimeve shumë të kushtueshme në infrastrukturën e IA-së.

Në kontrast me këtë prirje, aksionet e “Apple” kanë vijuar të rriten, duke reflektuar besimin e investitorëve në strategjinë e kompanisë dhe performancën e saj financiare.

Kjo e ka ndihmuar “Apple” të rikthehet në krye si kompania me vlerën më të madhe në botë. /ATSH